Në vetëm dy ditë në Kosovë kanë hyrë rreth 100 kamionë me mallra serbe.
Nga ta, vetëm një kamion është kthyer mbrapa në Serbi pasi nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili obligon transportuesit që emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
E vlera e mallrave të hyra në Kosovë nga shteti serbë ka arritur në 500 mijë euro.
Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Ai ka shtuar se gjatë ditës së parë pas heqjes së taksës së mallrave serbe në Kosovë kanë hyrë 16 kamionë.
“Gjatë ditës së parë, 1 prill kemi pasur 16 maune në procedura të zhdoganimit ku një nga ato është ndaluar dhe kanë filluar procedurat për kthim pasi nuk e ka dorëzuar certifikatën fitosanitare e cila nuk ka qenë në bazë të parametrave të vendimit dhe kushtetutës”, ka thënë Stavileci.
Ai ka shtuar se aktualisht në procedurë të zhdoganimit janë 84 kamionë.
“Derisa sot ne procedura te zhdoganimit janë 84 dërgesa me origjine nga Serbia ku vlera e tyre deri në ketë kohë ka arritur në rreth 500.000 mijë euro”, ka shtuar Stavileci.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës ka thënë se këto mallra kryesisht janë mallra ushqimore dhe material ndërtimor.
E, numri i kamionëve me mallra kosovare që ka hyrë në Serbi është tri herë më i vogël.
Që nga heqja e taksës në shtetin serbë janë eksportuar mallra në vetëm 30 kamion.
“Nga Kosova për në Serbi kanë dal rreth 30 maune”, ka thënë Stavileci.
Mbrëmjen e 31 marsit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Gjatë konferencës ku u bë i ditur vendimi u tha se ai do të mbetet në fuqi deri më 15 qershor ku edhe do të bëhet bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm i mbarëvajtjes së vendimit.
“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi sa i përket zbatimit, pra sa i përket implementimit. Me këtë rast, nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj. Pra në mënyrë periodike, por së paku një herë në muaj, do të rishikohen duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët tanë doganorë se si eci puna e reciprocitetit”, tha kryeministri, Albin Kurti.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës u prit me reagime të ndryshme.
Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj i cili edhe kishte vendosur këtë taksë, vendimin për largim të sa e kishte quajtur leje për ripushtim ekonomik e tregtar në Kosovë nga Serbisë e Bosnjës.
“Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë. Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërsa Ambasada Amerikane në Kosovë është shprehur se është kudër krijimit të barrierave të reja duke iu referuar vendosjes së reciprocitetit
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në njoftim.
Tarifa doganore 100% për shtetin serb ishte vendosur në nëntor në 2018-es nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Pas këtij vendimi kishte rënë në mënyrë drastike importi nga Serbia, ky shtet jo që kishte humbur primatin për eksportuesin më të madh në Kosovë por kishte rënë në kuotën minimale. /arbresh.info/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...