Bie niveli i pagesës së tatimit në pronë, shkak Ligji për Faljen e Borxheve

07:07 | 15 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Mbi  19 milionë euro  janë inkasuar të hyra nga tatimi në pronë gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, derisa interesimi  i qytetarëve  për të paguar tatimin në pronë gjatë këtij viti ka rënë, shkruan arbresh.info. 

Kjo ka ardhur si shkak i ligjit për faljen e borxheve publike.

Në Ministrinë e Financave kanë thënë për arbresh.info se këto të dhëna janë vetëm deri në fund të muajit nëntor, dhe se për muajin dhjetor nuk mund të japin ende ndonjë shifër.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2017, të hyra nga Tatimi në pronë janë mbledhur 19,530,344 Euro”, kanë thënë zyrtarë të kësaj ministrie.

Sipas tyre, muaji dhjetor është muaji, kur të hyrat  shënojnë rritje më shumë se sa të gjithë muajt  e tjerë të vitit.

“Pasi që muaji dhjetor ende nuk ka përfunduar nuk mundë të japim ndonjë shifër, mirëpo duke u bazuar në vitet e mëparshme  muaji dhjetor është muaji ku mblidhen më së shumti të hyra se sa muajt e tjerë të vitit”.

Zyrtarët e kësaj ministre kanë deklaruar se këtë vit ka pasur më pak interesim të qytetarëve për të paguar Tatimin në pronë duke shfrytëzuar përfitimet që ka sjellur Ligji për Faljen e Borxheve Publike.

“Këtë vit ka pasur ndryshim në të hyra në krahasim me vitin 2016 për arsye se  këtë vit ka pasur me pak interesim të qytetarëve për të paguar Tatimin në pronë duke shfrytëzuar përfitimet që ka sjellur Ligji për faljen e borxheve si dhe ka pasur më pak pagesa për Tatimin në pronë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nga shitjet e ish ndërmarrjeve shoqërore”, kanë thënë në këtë ministri.

Ekspertët e ekonomisë rënien e interesimit të qytetarëve për të kryer obligimin e tyre për tatimin në pronë e shohin si shqetësim shtesë në Kosovë.

Lulzim Beqiri, thotë për arbresh.info se duhet një vetëdijesim i qytetarëve nga ana e pushtetit lokal.

“Mendoj që ligji për faljen e borxheve ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit për të paguar tatimin në pronë, kjo edhe për faktin e mentalitetit tonë se ndoshta ka me ndodhë përsëri një falje e borxheve edhe për këtë arsye nuk paguajnë, nuk ka traditë të mirë të pagesave të tatimit në pronë, dhe për këtë duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve nga ana e komunave, një arsye tjetër është edhe situata politike në vend, krizat e mëdha, fjalori i deputetëve, zgjedhjet deri te paralajmërimi i krizave për energji e Gjykate Speciale”, ka thënë ai.

Sipas tij, komunat duhet të hartojnë një strategji afatgjate për mbledhjen e tatimit në pronë.

“Duhet një kampanjë më e madhe e informimit të opinionit publik për tatimin në pronë, sepse është obligim qytetar, madje ndikon dukshëm në mirëqenien e tyre, ato të hyra ju kthehen qytetarëve, por ka edhe mendime se nuk po investohet aty ku duhet, por duhet kërku llogari ku janë investua ato mjete, jo mos me e pagua tatimin, komunat duhet hartuar strategji afatgjate për t’i mbledh tatimin në pronë duke ia lehtësuar qasjen në pagesa”, ka pohuar Beqiri.

Në vitin 2016 në periudhën janar- dhjetor të hyrat nga tatimi në pronë kanë qenë 25 milionë e 206 mijë e 162 euro, ndërsa për periudhën janar-nëntor kanë qenë 22 milionë e 439 mijë e 249 euro.

Në vitin 2015 në periudhën janar- dhjetor të hyrat nga tatimi në pronë kanë qenë 19,914,522 Euro, ndërsa deri në nëntor 2015 kanë qenë 16,510,906 Euro./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme