BB do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën përmes projekteve strategjike

12:08 | 20 Shtator 2017
Arbresh.info

Udhëheqësi i Bankës Botërore (BB) për Kosovë, Marco Mantovanelli, ka shprehur gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në realizimin e projekteve strategjike.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ku është biseduar për prioritetet në agjendën e bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve si dhe projektet e Bankës Botërore që ofrojnë mbështetje efektive për institucionet kosovare.

Në veçanti u diskutua për projektin “Konkurrueshmëria dhe gatishmëria për eksporte”, që ka si synim kryesor ngritjen e kapaciteteve në infrastrukturën e cilësisë; reformën gjithëpërfshirëse të inspeksioneve në Kosovë si dhe rritjen e konkurrueshmërisë dhe eksporteve të ndërmarrjeve kosovare.

Ministri Hasani informoi delegacionin e Bankës Botërore me përpjekjet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për intensifikimin e aktiviteteve në përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat, përmirësimin e klimës së biznesit dhe eliminimin e barrierave administrative për investitorët e huaj dhe bizneset në përgjithësi.

Hasani shprehu gatishmërinë e tij për implementimin efikas të këtyre projekteve, por kërkoi mbështetje edhe në identifikimin dhe dizajnimin e projekteve të reja që do të mund të realizohen me Bankën Botërore dhe që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme