Google ADS

Bankat “plaçkisin” qytetarët, dhjetëra miliona euro fitime nga shërbimet

07:06 | 23 Janar 2018
Arbresh.info

Viteve të fundit bankat komerciale në vend kanë rritur çmimet e shërbimeve për qytetarë, shkruan Arbresh.info.

Qytetarët ankohen se në disa banka kanë paguar 2.5 euro për të tërhequr para brenda bankës.

“Më humbi kartela dhe u detyrova të hy brenda për të tërhequr para, më thanë që duhet të paguajë 2.5 euro për tërheqje. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë një qytetar nga Prishtina.

Ka raste kur një shërbim arrin deri në pesë euro provizion, gjë që po shkakton indinjimin e qytetarëve sa herë që u duhet të kryejnë punë në këto banka.

Por, pavarësisht rritjes së çmimeve në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se kjo e fundit nuk vendos dhe nuk ndikon në vendosjen e çmimeve për shërbime.

“Në pajtim me politikat dhe rregullativen ekzistuese, BQK-ja nuk vendos dhe nuk ndikon në vendosjen e çmimeve për shërbime bankare të bankave komerciale. Bankat kanë të drejtë të çmim vënies së produkteve dhe shërbimeve të tyre, dhe klienti  është ai që mund të zgjedhë bankën apo institucionin financiar bankar për kryerjen e shërbimeve të tij”, ka thënë për arbresh.info, Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së.

Sipas tij, BQK-ja vepron në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë dhe nuk ndikon në profilizimin që bankat kanë për klientët e tyre.

Ai ka thënë se tarifat bankare varen nga kosto e shërbimit të ofrimit të produkteve bankare, kështu që ato lëvizin varësisht nga kostoja e ofrimit të shërbimit.

“Bankat janë të obliguara që të shpalosin çmimoret e shërbimeve qoftë hyrje të zyrave dhe të sporteleve të ambienteve ku klientët kryejnë shërbime apo në uebfaqet e tyre”, ka pohuar Kada.

Për njohësit e ekonomisë në vend rritja e çmimeve të shërbimeve po shihet si e padrejtë.

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri ka deklaruar për arbresh.info se bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë leverdinë po e shohin te pagesat e qytetarëve për shërbimet, e më pak tek kreditimi i ekonomisë.

Sipas tij bankat komerciale ndër vite kanë krijuar një klientelizëm të madh pasi që janë fokusuar në tarifa të larta për shërbime ndaj klientëve të tyre.

“Jemi dëshmitarë se shërbimet bankare kanë shënuar rritje marramendëse kohën e fundit, siç është parë një shërbim arrin deri në pesë euro provizion, çka edhe ka hasur në kundërshtim të qytetarëve, pasi që çdo ditë ka ankesa nga më të ndryshme për shkak të çmimeve të papërballueshme për gjepin e qytetarit”, ka thënë ai.

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës vetëm nga janari deri në gusht të vitit 2017,vetëm nga shërbimet bankat kanë fituar plot 30 milionë euro.

Beqiri mendon se një veprim i tillë është i ngutshëm nga ana e bankave, sepse nuk ka vetëdijesim të duhur lidhur me përdorimin e teknologjisë.

Kurse, sa i përket deklaratave të BQK-së, që kjo e fundit nuk vendos dhe nuk ndikon në çmimet e shërbimeve bankare, Beqiri pohon se sikur Banka Qendrore të ishte funksionale kjo gjë nuk do të ndodhte.

“Po të ishte Banka Qendrore funksionale, nuk do të ndodhte një gjë e tillë dhe se siç qarkullon në opinion informata se bankat kanë marrëveshje të fshehtë ndërmjet veti lidhur me çmimet dhe tarifat e aplikuara. BQK-ja është i vetmi autoritet në Kosovë që rregullon tregun bankar. Në një formë është duke mbrojtur interesat e bankave ekzistuese, prandaj bankat janë duke treguar fitime marramendëse në kohën e një krize ekonomike, por fitimet marramendëse të tyre nuk arsyetojnë këtë lloj të “fajdes” vetëm se me letra në krahasim me fajden e ndaluar me ligj”, ka thënë ai.

Kurse, Musa Limani thotë për arbresh.info se çmimet e shërbimeve në banka komerciale janë mjaft të larta dhe se për këtë i takon që të merret Qeveria, konkretisht BQK-ja.

Sipas tij, Qeveria, e konkretisht BQK-ja vazhdimisht deklarohet se Kosova është në ekonomi të tregut dhe se nuk mund të ndërhyjnë në afarizmin e bankave komerciale.

“Kjo ka bërë që bankat komerciale të jenë plotësisht të pavarura që unë mendoj se nuk është në rregull , prandaj Qeveria përmes BQK-së duhet t’i caktoj kornizat e përgjithshme monetare dhe kreditore te bankat komerciale dhe këtë gjë nuk e ka bërë edhe në këtë mënyrë ne si vend i pazhvilluar i rajonit nuk kemi një politikë më të ashpër dhe nuk ëhstë në rregull”, ka thënë ai.

Limani ka thënë se çmimet e larta të shërbimeve të bankave komerciale ngarkojnë shumë buxhetin familjar të qytetarëve.

“Sa u përket shërbimeve bankare mendoj që shërbimet janë jashtëzakonisht të larta dhe të papranueshme, të pajustifikueshme dhe ngarkojnë shumë buxhetin familjar të qytetarëve tonë prandaj këtu duhet të ndërhyj qeveria, përkatësisht BQK-ja, duke e përcaktu nivelin e shërbimeve ashtu si e kanë edhe vendet tjera”, ka pohuar ai.

Limani, thotë se këto shërbime duhet t’i përshtaten situatës dhe gjendjes sociale të qytetarëve.

Ndërkohë i pyetur se a është aktualisht ndonjë bankë e huaj që është duke tentuar që të hyj në tregun e Kosovës, Banka Qendrore Kada ka bërë të ditur se momentalisht nuk ka ndonjë kërkesë apo ndonjë shqyrtim aplikacioni për ndonjë bankë të re për të hyrë në Kosovë./J.Zhuniqi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme