Banka Botërore ndihmoi Kosovën me 400 milionë dollarë

16:18 | 6 Dhjetor 2016
Arbresh.info
Nga viti 2009 Kosova ka përfituar shumë projekte dhe mbështetje nga Banka Botërore përmes granteve dhe kredive në sektorët si shëndetësi, arsim, energji, mjedis, bujqësi, administratë publike, prokurimin elektronik, sektorin financiar, mbështetje buxhetore dhe reforma tjera të rëndësishme në shumë sektorë.
Kështu ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti, në takimin për konsultimet e Kornizës së partneritetit të vendit të Bankës Botërore për Kosovën, të udhëhequr nga MF-ja në bashkëpunim me BB-në.

Hoti ka theksuar se si rezultat i mbështetjes që kanë pasur nga Banka Botërore bëhet fjalë për rezultate të prekshme në sektorët e lartpërmendur.

“Aktualisht kemi identifikuar edhe tri projekte të cilat priten të bëhen efektive gjatë vitit 2017 të cilat do të kontribuojnë në sigurinë e ujit dhe rehabilitimin e kanalit të Ibër Lepencit, ujitjen e tokave dhe zhvillimin e bujqësisë, konkurrueshmërinë e produkteve të prodhuara në Kosovë dhe çështje tjera që lidhen me këto tri objektiva”, ka theksuar ai.

“Deri më tani Kosova ka një portfolio me Bankën Botërore që kap vlerën prej 400 milionë dollarë të orientuar në sektorë që i përmendëm më herët. Shumica e këtij financimi është nga grantet dhe për këtë jemi falënderues i Bankës Botërore për mbështetjen që na ka dhënë deri më tani”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nga viti 2012 si rezultat i zhvillimit ekonomik të vendit një pjesë e konsiderueshme e financimit që vjen nga Banka Botërore ka filluar të kanalizohet në formë të huamarrjes.

“Kosova kualifikohet për huamarrje me kushte shumë të favorshme të ofruar nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim – IDA”, tha Hoti.

Ndërsa drejtoresha e Bankës botërore për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore, Ellen Goldstein, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të përfitojnë sa më shumë përmes projekteve sepse jo gjithmonë kreditë e Bankës Botërore do të jenë të buta.

“Grupi i Bankës Botërore ka qenë një partner i qëndrueshëm i Kosovës në 16 vitet e kaluara, duke përkrahur rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e pas-konfliktit, përfshirë edhe gjatë pavarësimit tuaj si shtet. Ne sjellim njohuri globale për të ndihmuar për të zgjidhur problemet specifike të Kosovës, duke ofruar analiza të opsioneve të politikave publike, dhe duke ofruar përkrahje të vazhdueshme për të zbatuar reformat më të nevojshme ekonomike. Që nga viti 2000 kemi ofruar apo menaxhuar rreth 400 milionë dollar amerikanë për Kosovën nëpërmjet rreth 40 operacioneve. Kjo përfshin përkrahjen në shëndetësi, arsim, reformat e tokës, bujqësi, sektorin e ujit, sektorin e energjisë, politikat sociale, sektorin financiar dhe në sektorë të tjerë”, shtoi znj. Goldstein.

Ajo ka kërkuar që institucionet kosovare të shtojnë rendimentin vendor përmes prodhimeve vendore dhe të bëjnë sa më shumë eksport të tyre.

Pavarësisht se ka thënë ajo rritja ekonomike në Kosovë ishte relativisht e mirë institucionet kosovare duhet të bëjnë më shumë për krijimin e një klime më të favorshme për të bërë biznes. /Ekonomiaonline.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme