Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në seminarin për diplomaci ekonomike të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës.
Në këtë takim me përfaqësues të ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës me vende të ndryshme të botës, ministrja Bajrami foli në lidhje me aktivitetet e MTI-së që ndërlidhen me diplomacinë ekonomike.
Ministrja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në institucione rajonale dhe ndërkombëtare për çështje ekonomike, patjetër që ngrit nevojën për një angazhim më të theksuar në diplomaci ekonomike. Diplomacia ekonomike e cila i lidhë vendet në bazë të interesit ekonomik tanimë ka ngritur nevojën e zhvillimit të një tipi të caktuar të diplomatëve të cilët ndër të tjera do të duhet të jenë njohës të mirë të ekonomisë globale si dhe të rrethanave ekonomike të vendeve të tyre.
Në drejtim të promovimit të investimeve të huaja në Kosovë deri më tani Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka punuar në përgatitjen e profilit të ekonomisë vendore të cilin e ka shpërndarë me anë të materialeve promovuese. Janë organizuar takime të modelit B2B, ku bizneset tona janë takuar me bizneset e huaja me qëllim të gjetjes së interesave të përbashkëta për investime.
Gjithashtu është punuar në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, me ç ‘rast në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes është arritur që të përmirësohet pozicioni i Kosovës, shtoi ministrja Bajrami.
Ajo i informoi të pranishmit se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, aktualisht është e angazhuar në implementimin e Direktivës për Shërbime të BE-së e cila do të mundësojë thjeshtësimin e procedurave për ofrimin e shërbimeve në Kosovë, gjë që do të mundësojë lehtësimin e procedurave për ofrimin e shërbimeve në Kosovë dhe jashtë saj.
MTI-ja do të vazhdojë që të rris cilësinë e të dhënave statistikore të besueshme, lidhur me procedurat e të bërit biznes, të ofrojë informata të azhuruara, të lehtësojë dhe të përshpejtojë procedurat për regjistrimin e bizneseve, gjë që do të rezultojë në promovimin e diplomacisë ekonomike të Kosovës, shtoi ministrja.
Ministrja Bajrami foli edhe për perspektivën e qartë të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian që në vete përbën një përparësi për Kosovën, pasi që kjo mund të shihet si një aspekt shumë atraktiv nga shumë investitorë të vendeve jashtë Bashkimit Evropian. Të gjitha këto do të nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare, rritjen e investimeve të huaja në Kosovë e rrjedhimisht edhe rritjen e eksporteve.
“Po ashtu, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është angazhuar në përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, organizatë e cila do të na mundësojë hapjen e tregjeve të reja si dhe mundësinë për tërheqjen e investimeve të reja në Kosovë. Por, natyrisht ky do të jetë një proces i gjatë dhe sfidues. Duhet të bëjmë shumë reforma dhe të adaptojmë shumë standarde që përdoren në sistemin e tregtisë botërore”, përfundoi ministrja.
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...