Bajrami: Kemi target bizneset e vogla për hapjen e vendeve të reja të punës

09:16 | 13 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin e përvitshëm të organizuar nga Banka ProCredit me temën “Në përkrahje të biznesit kosovar”.

Sipas komunikatës për media nga MTI,  adresimin e saj, ministrja Bajrami tha se Kosova ka një sistem bankar të shëndoshë i cili kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ajo shtoi se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes në vend është prioritet i qeverisë dhe ky përmirësim përfshin edhe sektorin bankar, që ndikon pozitivisht tek sektorët e tjerë ekonomik në vend. Përmirësimi i ambientit të të bërit biznes në vend është vërtetuar edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore ku Kosova është renditur në vendin e 60-të, theksoi ministrja, e cila potencoi se Kosova ka shënuar përmirësime të dukshme në legjislacion i cili kontribuon në rritjen e aktivitetit afarist si dhe të investimeve të huaja në vend.

Bajrami përmendi edhe aprovimin e Ligjit për Falimentim dhe Ligjin për Investime Strategjike si zhvillime mjaft pozitive. Bajrami theksoi po ashtu se MTI është duke e finalizuar hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Sektorit Privat.

Më tutje, ministrja Bajrami nënvizoi se një ndër veprimet pozitive të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës është Fondi Kosovar për Garanci Kreditore i cili lehtëson qasjen në financa për bizneset kosovare. Fondi tashmë është funksionalizuar dhe vënë në shfrytëzim nga bankat komerciale, theksoi ministrja, dhe shtoi se ky fond pritet ta rris nivelin e financimit të aktivitetit ekonomik në vend duke gjeneruar vende të reja pune.

Ajo tha se është e rëndësishme që bankat në Kosovë të vazhdojnë të rrisin portfolion e shërbimeve të tyre dhe që në periudhën vijuese të punojnë bashkë me Qeverinë e Kosovës në iniciativa dhe projekte të cilat do të targetojnë më shumë bizneset e reja, përfshirë edhe ‘start up’-et, që do të ndikonte pozitivisht në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme