Google ADS

“AXOS nuk ka të drejtë të padis Qeverinë”

10:09 | 9 Mars 2016
Arbresh.info

Nuk dihet ende se si do të përfundoj beteja ligjore mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Axos”.

Kompania “Axos” në vitin 2013 ishte shpallur fituese e tenderit për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Privatizimi dështoi, pasi që në fund të vitit 2014 deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan privatizimin e saj.

Kompania “Axos” me 4 qershor 2015 e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA). Për këtë rast Qeveria me 2 shtator të vitit të kaluar ndau 200 mijë euro për mbrojtje ligjore të saj në GJNA.

Por, ish ministri i Zhvillimit Ekonomik, tash deputet, Besim Beqaj tha për KosovaPress se kompania “Axos” nuk ka të drejtë ta padis Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, në kontratën që kanë nënshkruar të dyja palët bëhet me dije se Qeveria ka të drejtë në çdo kohë, deri në nënshkrim të kontratës, pa shpjegim, ta ndal procesin dhe kjo ndalje e procesit nuk i jep të drejtë ofertues it për të ngritur çfarëdo lloj padie ndaj Qeverisë apo ndaj agjentëve të tjerë të cilët mund ti angazhon Qeveria për këtë proces.

“Në dokumentet e tenderit është e specifikuar qartë që ofertuesi nuk ka të drejtë të paditë palën, në këtë rast Qeverinë, sepse është rregulluar mbi bazën e dokumenteve të transaksionit. Në dokumentin e transaksionit thuhet qartë që Qeveria ka të drejtë në çdo kohë deri në nënshkrim të kontratës, pa shpjegim, ta ndal procesin, dhe kjo ndalje e procesit nuk i jep të drejtë ofertuesit për të ngritur çfarë do lloj padie ndaj Qeverisë apo ndaj agjentëve të tjerë të cilët mund ti angazhon Qeveria për këtë proces. Mbi këtë bazë ata nuk kanë të drejtë. Ofertuesi i cili ka ofertu ar dhe i cili është shpallur si fitues i para-supozuar, i ka nënshkruar këto dokumente dhe është shumë e qartë në dokumente se ai nuk ka të drejtë për ta bërë padinë.” tha Beqaj.

Beqaj është i sigurt se në këtë rast do të humbasë kompania Axos.

“Qeveria ka të drejtë deri në nënshkrim të kontratës për ta ndalë procesin pa shpjegim. Kjo është baza mbi të cilën duhet të ndërtohet edhe mbrojtja të cilën bëhet, a e bënë ministria, a e bënë qeveria apo ndonjë përfaqësues tjetër të cilin qeveria e emëron për ta përfaqësuar në proces të arbitrazhit. Unë jam shumë i bindur se kjo procedurë është shumë e thjeshtë. Vetëm mund të bëjnë gabime në procedurat apo afatet kohore të cilat mund ti kushtojnë pastaj shtetit”, tha Beqaj.

Ndërsa, Haki Shatri, ish ministër i Financave, tha përmes telefonit për KosovaPress se dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë proces.

“Më shumë se akuza dhe humbja eventuale e rastit, dëme Kosovës i sjell edhe papërgjegjësia institucionale. Asnjë ministër nuk dha përgjegjësi politike për këtë dështim”, tha Shatri.

Ai po ashtu ka rikujtuar edhe shpenzimet milionëshe të kontraktuara nga Qeveria për Këshilltarë të Transaksionit e që në fakt askush nuk ka dhënë përgjegjësi për to.

Nga ana tjetër, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, i tha KosovaPress-it se nuk mund të paragjykoj për vendimin por ai tha se pala që është ankuar ka parë mundësin e ankesës.

“Ka ndodhur procesi i privatizimit dhe nuk janë plotësuar disa nga kushtet e asaj kontrate d he me sa di unë tani lënda është në Gjykatën e Arbitrazhit. Pritet në një të ardhme të afërt të zgjidhet definitivisht”, tha Grainca.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e pyetur se në cilën fazë është ky proces, nuk kanë preferuar të përgjigjen. Por, sipas dokumentit të ITP , të cilën e ka siguruar “KosovaPress”, me të cilin rregullohej çështja e privatizimit të PTK, Neni 1 paragrafi 5, thuhet:

“Autoriteti kontraktues e rezervon të drejtën për të anuluar tenderin apo për ta deklaruar të pavlefshëm apo pa efekt në lidhje me tenderin apo në lidhje me cilin do ofertues individual, për cilëndo arsye, deri në momentin e nënshkrimit të dokumenteve të transaksionit dhe një veprim i tillë nuk ia jep të drejtën ofertuesit – ofertuesit te përzgjedhur të bëjë padi për çfarëdo arsye ndaj KQP, Qeverise se Kosovës apo ndaj agjentit, përfaqësuesve, këshilltareve apo konsulentëve”.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që kompania “Patton Boggs” të jetë përfaqësuesja e saj ligjore për të zgjidhur këtë kontest. Për këtë përfaqësim ligjor të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit kompania “Patton Boggs” ka kërkuar të paguhet në vlerë prej 17 mijë e 700 dollarë.

Përndryshe “Axos”, jo zyrtarisht mësohet se ka kërkuar nga 20 deri në 50 milion euro dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës. Tashmë mbetet të shihet se si do të vendos Gjykata e Arbitrazhit për këtë rast.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme