Republika e Kosovës vlerësohet si vend jo tërheqës për investime të huaja e sidomos është larg tërheqjes së investimeve nga korporatat dhe markat e mëdha botërore.
Situata politike e paqëndrueshme në vend ka ndikuar në uljen e mëtejshme të investimeve të tilla.
E, edhe ngritja e aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale pritet të zbeh edhe më tepër këto investime të pakta.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë për arbresh.info se vendi nuk ka pasur promovim adekuat për potencialet e shumta që ofron.
Zeka ka thënë gjithashtu se edhe jo stabilitetin politik ka bërë që investitorët e huaj të shmangin Kosovën.
“Kosova ofron potenciale të shumta për investitorët e huaj, por megjithatë vlera e investimeve të huaja direkte mbetet e ulët për shkak të perceptimit jo të mirë që ekziston për Kosovën por edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi. Fatkeqësisht, edhe promovimi nga ana e Kosovës e mundësive për tërheqjen e investimeve të huaja ka qenë joadekuat po ashtu. Perceptimi për rrezikun e lartë politik edhe për shkak të mungesës së stabilitetit qeverisës ka bërë që fatkeqësisht investitorët me plane për zgjerim të shmangin Kosovën, pavarësisht reformave që vendi ka ndjekur në mjedisin e të bërit biznes”, ka thënë ai.
Zeka ka shtuar se Kosova ka shtuar se është momenti i fundit që të demonstrojmë stabilitet të përgjithshëm.
“ Është momenti i fundit që të demonstrojmë stabilitet të përgjithshëm, e kjo natyrisht përfshin edhe përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore, ashtu që të mund të rrisim interesimin e investitorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj, e sidomos pas çrregullimeve të krijuara në zinxhirët global të furnizimeve pas shpërthimit të pandemisë COVID19, kur një pjesë e kompanive mund të planifikojnë zhvendosjen ose investimet në tregje të reja. Kosova ka nevojë që të fokusohet në krijimin e një brendi nacional, përmes të cilit do të synohej përmirësimi i perceptimit të përgjithshëm, por edhe promovimi i mundësive për investime”, ka shtuar ai.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu ka thënë për arbresh.info se 2020-ta do të mbetet i shënuar si vit i sfidave.
“Viti 2020 për Kosovën ka qenë dhe do të mbetet i shënuar si një ndër vitet më sfiduese të Kosovës, kemi hyrë të vitin kalendarik pa qeveri edhe pse kemi dalë në zgjedhje në tetor, kemi hy pa rezerva shtetërore, pa rezerva buxhetore dhe kur krejt kësaj i shtohen edhe efektet negative të koronavirusit, që ka ndikuar në rënie të të hyrave të Doganë dhe ATK, e rënie të rezistencave e dëshmon një realitet të vështirë në Kosovë”, ka thënë ai.
Gerxhaliu ka shtuar se aktakuza ndaj Thaçit do të ‘godas’ ekonominë e vendit.
“Stabiliteti politik ka qenë një ndër pengesat më të mëdha, e si pasojë e këtij jo stabiliteti , e kur kësaj i shtohet edhe ngritja e aktakuzës për presidentin e vendit, Hashim Thaçi besoj se e ka goditur vendin jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë ekonomik, e imazhi i dëmtuar do të dëmtohet dhe më tepër”, ka shtuar ai.
Ai thotë se gjendja momentale ekonomike e Kosovës është ashtu siç do të donin ta shinin kundërshtarët e vendit.
“Përhapja e lajmit me të shpejt të mediat botërorë ka qenë vërtetë demotivuese dhe e dëmshme për imazhin e Kosovës. Por, dua të shpresoj se e gjithë kjo do të kaloj me një shpejtësi dhe do të sjellë rigjenerim, sepse me të vërtetë ekonomia e Kosovës gjendet në pozitën që do të donin ta shihnin kundërshtarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa sipas Gerxhaliut, vetëm bashkimi politik do të mund të kthej këtë moment negativ në favor për zhvillimin ekonomik.
“Në rend të parë duhet të ketë unitet politik, pastaj duhet që ekspertiza shkencore të jetë në funksion të shtetit dhe jo vetëm, nepotizimi dhe përkatësia politike dhe partiake dhe mbi të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të kuptojnë se mbi interesat e shtetit nuk mund të jenë interesat e partive dhe është koha kur duhet që të për shtet të bëhet më tepër sesa të flitet. Është koha kur duhet tashmë ta kuptojmë të vërteten e hidhur të Kosovës dhe vetëm të unifikuar mund ta kthejmë këtë moment negativ në favore për zhvillim ekonomik duke motivuar biznesin vendor, diasporën dhe mbi të gjitha duke tërhequr investitor me investime të huaja”, ka shtuar ai.
Ndryshe pasditen e së mërkurës zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.
Aty thuhet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë. /arbresh.info/
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...