Perceptimi i përgjithshëm i nivelit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë është më i ulët në krahasim me nivelin e përgjithshëm të korrupsionit në Kosovë.
Kështu u tha në një tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit final të “Iniciativës për Integritet në Sistemin e Drejtësisë”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me programin “Kërko Drejtësi”, i cili zbatohet nga National Center for State Courts (NCSC).
Arben Kelmendi nga KDI, ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga raporti “Iniciativa për Integritet në Sistemin e Drejtësisë”.
Ai tha se favorizimi/ nepotizmi dhe ndërhyrja politike janë dy format më të zakonshme të sjelljes së korruptuar në sistemin e drejtësisë. Kurse avokatët perceptohen si ndërmjetësit më të shpeshtë 14.9%, pasuar nga anëtarët e familjes 9.0%, miqtë 7.5% dhe zyrtarët e partive politike 7.2%.
“Prokurorët shihen si më të ekspozuar ndaj nxitjeve për sjellje korruptive që vijnë nga kontaktet e drejtpërdrejta me palët e interesuara jashtë sistemit të drejtësisë. Si dy qëllimet më të synuara përmes sjelljes korruptive perceptohen: përzgjedhja e një gjykatësi dhe prokurori të preferuar për të vendosur rreth një rasti/ veprimi ligjor (54.9%) dhe marrja e aktgjykimit të preferuar (53.3%). Kurse dy grupet më të zakonshme të qytetarëve të prirur për sjellje korruptive janë qytetarët e pasur, politikanët aktualë dhe zyrtarët qeveritarë”, ka thënë Kelmendi.
Sa i përket formave më të shpeshta të nxitjes për të marrë pjesë në kryerjen e akteve të korrupsionit në Kosovë, Kelmendi përmendi përfitimet materiale dhe mbajtjen e raporteve të mira me aktorët politikë që do të çonin në shpërblime përmes emërimeve, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së pavarur.
Në lidhje me fazat e procesit gjyqësor, respondentët perceptojnë çdo fazë të procesit si të cenueshëm ndaj korrupsionit. Kurse tre faktorët më të rëndësishëm prapa rreziqeve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë qëllimi i politikanit për të mbuluar sjelljen e tij korruptive (15.4%), pasuar nga interesa të përbashkëta ndërmjet anëtarëve të krimit të organizuar dhe grupeve të biznesit me politikanë të caktuar (12.3%).
Kelmendi ka paraqitur edhe rekomandimet për KGJK-në, kryetarët e gjykatave, gjykatësit dhe personelin e gjykatave dhe Odën e Avokatëve bazuar në këto gjetje. Të gjeturat nga raporti dhe rekomandimet e propozuara do të shërbejnë si udhëzues për institucionet e sistemit të drejtësisë në Kosovë për të punuar më shumë drejt ngritjes së nivelit të integritetit të tyre profesional.
Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka thënë se ky raport reflekton të gjeturat nga pyetësori i realizuar me akterë të sistemit të drejtësisë lidhur me mekanizmat e sjelljeve korruptive në institucionet e drejtësisë në Kosovë në saje të një bashkëpunimi mes Odës së Akovatëve, KDI-së dhe NCSC-së.
“Ka ndodhë për herë të parë që të aplikohet një sistem i tillë i vetëdeklarimit të akterëve se si e perceptojnë punën në polici, prokurori, gjykatë dhe avokati. Çështja e të gjeturave dhe fokus kryesor i trajtimit është niveli i perceptimit të sjelljeve korruptive, format e sjelljeve korruptive, akterët e sjelljeve korruptive, ndërmjetësit, rezultatet e synuara, grupet e prira për korrupsion si dhe nxitjet për korrupsion”, ka informuar ai.
Kurse John Furnari nga NCSC ka thënë se përmes këtij hulumtimi është bërë një punë e mirë që mund të shërbejë si bazë për një diskutim autentik se si të shkohet përpara në sektorin e drejtësisë në Kosovë.
Ai ka shtuar se ky punim tregon se nepotizmi ekziston dhe jo vetëm në kokat e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve apo avokatëve por bëhet fjalë edhe për një presion që këta profesionistë e kanë nga familjet e tyre. Megjithatë ka shtuar se quhet patriotizëm të jesh gjyqtar dhe ta bësh punën tënde duke e vendosur shtetin para familjes dhe para vetes.
Raporti është përkrahur financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit/INL. Programi “Kërko Drejtësi” ka për qëllim fuqizimin e kërkesave të qytetarëve për drejtësi të bazuar në fakte në Kosovë.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...