Google ADS

AKP: Punëtorët kanë kërkuar paga në vlerë më të lartë se vet shuma e shitjes së ndërmarrjeve

15:02 | 30 Shtator 2016
Arbresh.info

Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione ka raportuar drejtori i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, Avni Jashari lidhur me kërkesën e ish punëtorëve të ndërmarrjes “Sharr-Sallonit” për pagesën e pagave të tyre.

Drejtori Jashari ka thënë para komisionit se kërkesat që i ka marrë AKP-ja për pagesë të pagave të tyre kapin shumën më të lartë se sa vet shitja e ndërmarrjes e cila ka qenë e përbërë nga katër njësi siç ka qenë: “Sharr-cem”, “Sallonit”, “Lepenci” dhe “Silkapor”.

 

“Sa i përket kërkesës së punëtorëve për pagat, janë pranuar pagat e punëtorëve 1 milion e 263 mijë e 740 euro, 845 kërkesa për paga në shumën 994 mijë prej kësaj shumës 1 milion e 200 mijë dhe për 345 kërkesa tjera janë pranuar pjesërisht në shumën 269 mijë e 686. Pjesën tjetër të e cila punëtorët apo kreditorët tjerë e kanë shfrytëzuar të drejtën për dhomën e posaçme është përtej kontrollit të AKP-së dhe shuma e fondeve që ka rrjedh nga procesi i shitjes së katër ndërmarrjeve shoqërore është më e ulët se sa shuma e kërkesave të kredituara. Për këtë arsye pa u shqyrtuar vendimet e ankesave të kreditorëve dhe punëtorëve në dhomën e posaçme AKP e ka të pamundur shpërndarjen e tërësishme apo të pjesërishme të pagave të cilat janë aprovuar për punëtorët e kësaj ndërmarrje por po ashtu edhe për kreditorët tjerë. Arsyeja është nëse keni mundur ta vër eni në pikën 3 janë 3 mijë 282 kërkesa kreditore të cilat janë refuzuar dhe vlera e kërkesave të cilat janë refuzuar është 167 milion euro, prandaj siç e kemi shpjeguar edhe në letrën tonë e kemi kërkuar informata në dhomën e posaçme qysh një kohë të gjatë dhe ende nuk kemi pranuar informata se kur do të vendos dhoma e posaçme lidhur me këto kërkesa kreditore”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, anëtarët e komisionit e kanë pyetur për disa detaje rreth mospagesës së këtyre mjeteve.

Nenad Rashiq, e ka pyetur Jasharin nëse pagesa nuk është bërë në mungesë të mjeteve apo për shkak se nuk janë plotësuar kushtet.

 

“Nuk kuptova qartë për pyetjen e tretë kjo 3 mijë e 282 kërkesa, nuk janë paguar për shkak të mungesës së fondeve ose nuk kanë plotësuar kushte nuk e kam të qartë”, ka pyetur Rashiq.

Shpjegim më të madh në këtë drejtim ka kërkuar edhe Teuta Haxhiu nga AAK.

 

“Cilat janë ato kërkesa ligjore, me na i përmend disa prej tyre  të cilat nuk janë plotësuar, me i përmend me emër, pak më me pas ehe ne më të qartë”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, Jashari e ka sqaruar në detaje mënyrën se si duhet të bëhet kërkesa në mënyrë që të bëhet pagesa nga AKP-ja.

 

“Shembull nëse flasim për kërkesa kreditore që janë furnitorë të ndryshëm , një furnitor për tu konsideruar i vlefshëm kërkesa e tyre duhet me pas një kontratë të furnizimit me ndërmarrjet shoqërore, duhet me pas faturën, duhet me pas fletëdërgesën e cila i është dërguar malli dhe pranimin prej ndërmarrjes shoqërore se e ka pranuar mallin. Nëse i ka këto kritere atëherë autoriteti i likuidimit vendos aprovimin dhe afatet ligjore kur mund të parashkruhet një kërkesë kreditore ndërsa në rastin e punëtorëve nëse ka qenë në listën e pagave dhe kanë kryer shërbimet mirëpo nuk iu kanë paguar pagat  punëtorëve atëherë atyre normalisht se duhet tu paguhet mirëpo nëse ne kemi dëshmi në regjistrat e ndërmarrjes shoqërore se atyre punëtorëve iu kanë paguar pagat, e ekziston edhe raste të tilla kur kërkojnë pagesë të dyfishtë atyre iu refuzohen”, ka deklaruar ai.

Jashari është pyetur edhe nga Mytaher Haskuka rreth pagesës së ish punëtorëve të cilët janë sëmurë në vendin e punës, se kur do t’iu bëhen pagesat.

Kurse Jashari është përgjigjur duke thënë se Dhoma e Posaçme çdo vit i vlerëson rreth 1500 deri 1600 kërkesa derisa tani për tani janë rreth 15 mijë kërkesa në këtë drejtim.

Jashari ka thënë se mund të bëhet një llogaritje se për sa vjet mund të shqyrtohen të gjitha, që i bie rreth dhjetë vite.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme