AKP publikon raportet e shitjeve për të gjitha pronat e Ndërmarrjeve Shoqërore

16:56 | 4 Mars 2016
Arbresh.info

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar sot raportet e shitjeve për të gjitha pronat e Ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe raportet e shitjeve të pronave ku ka pasur uzurpatorë në kohën e përfundimit të shitjes.

Nga publikimet e sotme që mund të gjenden në adresën www.pak-ks.org, (kapitulli Raportet) shihet se janë 160 mijë e 304 raporte përmbledhëse dhe detaje të shitjeve të të gjitha pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore që nga viti 2002 dhe 160 mijë e 304 raporte përmbledhëse dhe detaje të shitjeve të pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore ku ka pasur uzurpatorë në kohën e përfundimit të shitjes. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga AKP.

Kjo Agjenci paraprakisht ka konsultuar Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka dhënë opinionin ligjor se publikimi i emrave të uzurpatorëve të cilët në mënyrë të jashtëligjshme i kanë shfrytëzuar apo aktualisht i shfrytëzojnë pronat e Ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe publikimin e emrave të blerësve të cilët kanë privatizuar (blerë) ndërmarrjet shoqërore ose asetet e tyre.

“AKP dëshiron që përmes këtij njoftimi të rikonfirmoj përkushtimin për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies para opinionit publik për gjithë procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore që është i një rëndësie të veçantë për administrimin në mirëbesim të aseteve në pronësi shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Listat e publikuara do të azhurnohen periodikisht, ndërkaq AKP fton palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë.

Agjencia do të korrigjojë ndonjë lëshim eventual me rastin e publikimit periodik të këtyre listave.

“Agjencia fton të gjitha palët që të përkrahin, ndihmojnë dhe të kontribuojnë në procesin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies që AKP do ta fuqizoj edhe më tej.”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme