AKP miraton raportin vjetor dhe diskuton për Trepçën

15:59 | 9 Prill 2016
Arbresh.info

Në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të kryesuar nga Petrit Gashi, është miratuar dorëzimi i raportit vjetor të AKP-së për vitin 2015 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu siç përcaktohet në legjislacion.

Bordi diskutoi në veçanti për ndërmarrjen shoqërore “Trepça”, e cila administrohet nga AKP, ku shqyrtoi dhe aprovoi termat e referencës për Studimin e Fizibilitetit për këtë ndërmarrje. Për më tepër, Bordi u informua edhe rreth progresit të bërë në lidhje me analizën paraprake të kërkesave të kreditoreve të Trepçës.

Gjatë kësaj mbledhje para Bordit, raportoi menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça, me ç’rast e njoftoi Bordin për gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje dhe për planet për vitin 2016, duke përfshirë shitjet dhe aktivitetet e planifikuara gjatë këtij viti. Bordi me këtë rast aprovoi planin prodhues dhe financiar, si dhe planin e prokurimit për vitin 2016 për ndërmarrjen Trepça.

“Bordi i Drejtorëve ka aprovuar raportet e autoriteteve të likuidimit për 33 ndërmarrje shoqërore. Sipas këtij vendimi, do të bëhet shpërndarja e fondeve për kreditorët në shumë totale 1.818.548 euro. Në muajt në vazhdim priten edhe shpërndarje të fondeve në mirëbesim edhe për ndërmarrje tjera.Gjithashtu gjatë këtij takimi Bordi shqyrtoi dhe aprovoi raportet e Komisionit për shitjen 74 e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në komunikaten për medie të AKP-së.

Bordi në vazhdim u informua nga menaxhmenti me zhvillimet dhe aktivitetet e fundit në AKP. Pati diskutime në lidhje me pasqyrat financiare vjetore dhe buxhetin e AKP-së për vitin 2015, po ashtu u diskutuan pasqyrat financiare vjetore për Fondet në Mirëbesim për 2015 të cilat tashmë i janë dorëzuar institucioneve përkatëse sipas kërkesave ligjore që e obligojnë AKP-në. Në fund, Bordi diskutoi mbi mënyrat e rritjes së efektivitetit të punës brenda Agjencisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme