AKK po i heton disa kompani për fiksim çmimesh

13:58 | 25 Prill 2017
Arbresh.info

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke shqyrtuar një mori lëndësh ku dyshohet se grupe operatorësh të ndryshëm ekonomikë kanë bërë marrëveshje për fiksim të çmimeve apo shërbimeve si dhe kanë keqpërdorur pozitën dominuese në treg.

Kështu bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Fiksimi i çmimeve është marrëveshje e cila është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë në fazën e trajtimit të disa lëndëve të parashtruara nga ankuesit.

“Fiksimi i çmimeve nga ndërmarrjet në kartel i ndalon edhe Ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Por, normalisht në çdo vend ku ka ekonomi të tregut të lirë mund të ketë akterë që tentojnë të shtrembërojnë konkurrencën e drejtë, siç janë pjesëmarrësit në kartel që hartojnë një marrëveshje të ndalur në formë të shkruar ose në formë të bashkërenduar”, thekson Prestreshi.

Por, siç thekson Prestreshi, të gjitha ato kompani që tentojnë ta çrregullojnë tregun në formë të marrëveshjes së ndalur ose më bashkërendim do të hetohen nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“Kemi tri elemente bazë shtyllë që konkurrenca i trajton, siç janë marrëveshjet e ndaluara, abuzimet me pozitën dominuese dhe përqendrimet e ndaluara (kur dy firma blejnë njëra tjetrën, por në mënyrë jo ligjore). Pjesa më e theksuar janë marrëveshjet e ndaluara pasi që ndërmarrjet nuk kanë akoma njohuri për Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, thekson ai.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në të kaluarën kishte ndëshkuar me nga 100 mijë euro kompanitë për shitjen e arkave fiskale, pasi që si të tilla ishin dyshuar për fiksim të çmimeve.

Ngjashëm ishte vepruar edhe me 10 kompani të sigurimeve të cilat ishin gjobitur secila me nga 100 mijë euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se fiksimi i çmimeve bëhet në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Ata thonë se ndërmarrjet që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fiksimi i çmimeve nga grup operatorësh ekonomik është një dukuri mjaft e shprehur në Kosovë.

“Ka dyshime për fiksim të çmimeve tek disa operatorë në disa sektorë siç janë bankat komerciale kur kemi të bëjmë me kamatat e kredive dhe shërbimet e tyre, po ashtu fiksim të çmimeve dyshohet se mund të bëjnë operatorët telefonik, por edhe tek kompanitë e sigurime”, thotë Shahini.

Mekanizmat kompetentë, shton Shahini, duhet të jenë më aktivë në hetimin e këtyre kompanive, pasi që si e tillë kjo dukuri po dëmton konkurrencën e drejtë në vend dhe ekonominë në përgjithësi.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet të jetë më aktiv dhe nëse has në këto fenomene të veprojë në bazë të ligjit. Këta mekanizma duhet të jetë të pavarur dhe pa ndërhyrje nga jashtë”, thotë Shahini.

Me Ligjin mbi Konkurrencën, ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme