Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ka gjetur një ‘mal’ shkeljesh në komunën e Podujevës.
Parregullsitë kanë ndodhur në vitin 2019, në kohën kur komuna udhëhiqej nga Agim Veliu, tani Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës.
Një ndër shkeljet e gjetura ishte ajo e eliminimit të operatorit ekonomik me ofertën më të lirë. Për ndërtimin e trotuareve në disa fshatra të Podujevës, Veliu i kishte dhënë tenderin kompanisë që kishte ofruar çmim më të lartë për afër 100 mijë euro, raporton Arbresh.info.
arbresh.info ka gjetur se kompanie fituese, ‘Toifor Sh.p.k’ është e afërt me LDK-në.
Kompania fituese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka deklaruar se për pronar ka Enver Zymeri. Nipi i këtij të fundit është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asamblist nga kjo parti në Kuvendin Komunal të Podujevës.
Në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës thuhet gjithashtu se ‘Toifor Sh.p.k’ e ka fituar këtë tender në vlerë 331,177 euro, ndërsa operatori ekonomik me çmim më të ulët, në vlerë 255,447 ishte eliminuar.
“Gjetja Sipas nenit 7.1 të LPP, Autoriteti kontraktues do ti trajtoj operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente. Komuna për ndërtimin e trotuareve nëpër disa fshatra Llot 2, kishte lidhur kontratë më datën 19.08.2019 në vlerë 331,177€, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertën më të lirë me vlerë 255,447€”, thuhet në raport.
Gjithashtu aty thuhet se eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë.
“Eliminimi ishte bërë me supozimin se ka ofertuar çmime jo normalisht të ultë, mirëpo ky supozim nuk qëndron për faktin se operatori ekonomik i eliminuar ka çmime më të shtrenjta për pozicionet e kontestuara nga komuna, pra nuk kanë qenë çmime jo normalisht të ultë. Gjithashtu komuna nuk ka marr parasysh shpjegimet e dorëzuara nga operatori ekonomik mbi procesin e prodhimit të elementeve të betonit nga fabrika të cilën e zotëronte apo minierën për nxjerrjen e gurit dhe përpunimin e gurit në pronësi të operatorit ekonomik të eliminuar”, thuhet më tej.
Te ndikimi thuhet se ‘mostrajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomik përveç që është jo ligjore, ndikon edhe në dëmtim të buxhetit komunal.
Ndërsa ish-kryetarit Veliu i është rekomanduar që të gjithë ofertat të trajtohen të barabarta.
“Kryetari të sigurohet se komisioni për vlerësimin e ofertave të tenderit i trajton të gjitha ofertat në mënyrë të barabartë dhe vlerësimi i ofertave për tender bëhet në pajtim me kriteret e dosjes së ofertës për tender dhe LPP. Gjithashtu zyrtari përgjegjës i prokurimit sigurohet se është duke u zbatuar LPP në tërësi duke ushtruar funksionin e kontrolli për parandalim dhe korrigjim të gabimeve”, thuhet më tej në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Por, kjo nuk është shkelja e vetme që është identifikuar në këtë raport.
“Mungesa e planit të subvencionimit të OJQ-ve, mungesa e projekteve ekzekutive të ndërtimit, , tejkalimi i kontratës kornizë, dobësi në menaxhim të kontratës, parregullsi me regjistrat e Pasurisë, pagesa e avansit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, e të tjera.
Te kjo e fundit thuhet komuna ka paguar paradhënie pothuajse dyfish më shumë se sa që është e kufizuar.
“Gjetja Sipas neni 13.5 të Ligji nr. 06/l -133 mbi ndarjet buxhetore, paradhënia është e kufizuar deri në pesë përqind (5%) të vlerës së kontratës në muajin dhjetor të vitit 2019. Me datë 10.12.2019, komuna kishte paguar si paradhënie 184,310€ për ndërtimin e bulevardit. Komuna kishte tejkaluar limitin ligjor duke paguar 8.12% të vlerës së kontratës. Vlera e tejkalimit ishte 70,818€. Sipas zyrtarëve komunal kjo ka ndodhur për shkak të konfuzionit të tyre në lidhje me kohën e nënshkrimit të kontratës dhe kohën e ekzekutimit të pagesës”, thuhet në raport.
E kjo pagesë ka ndikuar në disbalancimin e parave të gatshme.
“Ndikimi Pagesat përtej limiteve të lejuara nga Thesari kanë ndikim të drejtpërdrejt në disbalancimin e parave të gatshme në dispozicion për përdorim nga ana e organizatave buxhetore. Pagesat e tilla mund tu sjellin komplikime ne realizimin e projekteve organizatave tjera buxhetore si shkak i mungesës se parave të gatshme”, thuhet më tej në raportin e Auditimit.
“Kryetari është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna. Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson bashkëpunimin e menaxhmentit dhe personelit të Komunës, gjatë procesit të auditimit”, thuhet në raport.
Ndryshe zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar dhe për punën e vet i jep llogari Kuvendit të Republikës së Kosovës. /arbresh.info/
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...