Pandemia e COVID-19 i ka lëkundur ekonomitë anëmbanë globit. Shumë analistë janë të një mendjeje se, kjo pandemi ka shkaktuar krizën më të rëndë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shumë pak analistë, mbase asnjëri, kanë qenë të përmbajtur në vlerësime.
COVID-19 ka ndikuar në pothuajse të gjitha vendet si dhe ka infektuar më shumë se 63 milionë njerëz në botë, tregojnë të dhënat.
Që nga dhjetori i vitit 2019, më shumë se 1.25 milion kanë vdekur si pasojë e pandemisë.
Më shumë se gjysma e popullatës së botës kanë përjetuar një lloj izolimi dhe kufizimi në lëvizje. Kjo është hera e parë ndonjëherë që ky lloj i masave është vendosur në këtë shkallë.
Disa qeveri kanë ofruar ndihma masive financiare për të mbrojtur firmat, familjet dhe individët.
Që nga muaji mars i vitit 2020, në total, këto shpenzime kanë arritur në më shumë se rreth 12 trilionë dollarë.
Ky infuzion i parave të gatshme të qeverive, nuk e ka ndaluar lëngatën e ekonomive – ose pothuajse kolapsin – për shkak të një përçarjeje të aktivitetit ekonomik, udhëtimeve, zinxhirëve të furnizimit etj, raporton Radio Evropa e Lirë.
Bruto Prodhimi i Brendshëm global këtë vit pritet të bie për 4.5 për qind, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Sipas një studimi të bërë publik në fund të muajit nëntor, nga konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), kriza mund të çojë rreth 130 milionë njerëz në varfëri ekstreme.
Raporti thotë se situata do të jetë më e cenueshme dhe do të ketë përkeqësim të pabarazisë. Përveç pasigurisë, në muajt e fundit të vitit 2020 një valë e dytë e të infektuarve u regjistrua në pjesën më të madhe të Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe gjetkë.
Duke pasur parasysh shkallën dhe thellësinë e krizës, cilat mund të jenë mundësitë e një rimëkëmbjeje ekonomike në vitin 2021?
A gjendet shpëtimi te vaksinat?
Pothuasje të gjithë ekspertët duket se pajtohet se rimëkëmbja ekonomike në masë të madhe varet nga të pasurit e një vaksine kundër koronavirusit. Janë disa vaksina kandidate, tri prej të cilave në Perëndim: vaksina e Pfizer/BioNTech, ajo e kompanisë Moderna, dhe vaksina e AstraZeneca/Oxford University.
Vaksinat e zhvilluara nga Pfizer/BioNTech dhe ajo e Modernas janë treguar efektive më shumë se 90 për qind. Ato kanë kërkuar autorizim emergjent të përdorimit në SHBA dhe Evropë.
Mbretëria e Bashkuar më 2 dhjetor ka miratuar përdorimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech.
Rusia ishte vendi i parë që miratoi vaksinën e quajtur Sputnik-V, por ka pasur shumë zëra në komunitetin shkencor ndërkombëtar që kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me procesin e aprovimit të Rusisë.
Pritjet se një vaksinë do të dalë së shpejti në treg kanë rritur shpresat se jeta dhe ekonomia mund të kthehen në normalitet.
Disa ekspertë thonë se kjo nuk do të ndodhë shpejt duke pasur parasysh vështirësitë e prodhimit në masë dhe shpërndarjes së një vaksine.
Përshembull kompania Pfizer, ka thënë në fillim të nëntorit se mund të prodhojë 50 milionë doza të vaksinës të saj gjatë vitit 2020, për të mbrojtur 25 milionë njerëz.
Ky prodhim, sipas Pfizer, do të rritet në 1.3 miliardë doza në vitin 2021.
Por, duke pasur parasysh se bota ka 7.5 miliardë banorë, kjo sasi e vaksinave është shumë e vogël.
Axel Weber, shef i gjigantit bankar të investimeve UBS, tha më 11 nëntor se edhe me vaksinë kundër koronavirusit, do të duhet kohë që ekonomia të rimëkëmbet.
“Do të marrë të paktën një vit që nivelet e GDP-së të kthehen në nivelet e para- pandemisë. Do të duhen edhe një vit ose dy për të arritur shkallën e papunësisë sa ka qenë para krizës. Pra, do të jetë një periudhë e gjatë e rimëkëmbjes me të cilën po përballemi”, tha Weber për CNBC.
Hans Kluge, drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, paralajmëroi më 18 nëntor se Evropa ishte edhe një herë epiqendra e pandemisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara.“Ekziston një dritë në fund të tunelit, por do të jenë gjashtë muaj të vështirë”, ka thënë Kluge.
Pabarazi në rimëkëmbje?
Duke pasur parasysh shkallën e dëmit të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, çdo rikuperim nuk ka gjasa të rregullojë të gjitha dëmet, ka paralajmëruar UNCTAD.
Pasojat ekonomike do të “ndihen gjatë, veçanërisht nga më të varfrit dhe kategoritë e ndjeshme”, tha UNCTAD në raportin e publikuar më 19 nëntor, i cili gjithashtu vë në dukje se varfëria globale është në rritje për herë të parë që nga kriza financiare aziatike e vitit 1998.
“Duke lëvizur me shpejtësi përtej kufijve, përgjatë arterieve kryesore të ekonomisë globale, përhapja e koronavirusit ka përfituar nga ndërlidhjet dhe dobësitë e globalizimit, duke u katapultuar, nga një krizë globale shëndetësore në një goditje ekonomike globale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i UNCTAD, Mukhisa Kituyi.
Zëvendëskryesuesja për ekonomi e Institutin e Financave Ndërkombëtare me bazë në Uashington (IIF), Elina Ribakova, ka folur për vështirësitë e rimëkëmbjes nga ana e vendeve të varfëra.
“Tregjet e vendeve në zhvillim janë veçanërisht të ndjeshme ndaj kufizimeve të lëvizjes, ndërprerjeve në zinxhirët e tregtisë, turizmit dhe dërgesave të parave”, tha Ribakova për Radion Evropa e Lirë.
Pandemia COVID-19, mund të zgjerojë hendekun e pasurisë jo vetëm midis vendeve, por edhe brenda tyre.
Sipas një raporti të mediumit Bloomberg, Kremlini po shtyn qeveritë rajonale në Rusi të marrin hua më shumë për të ndihmuar në pagesat e kujdesit shëndetësor dhe kostove të tjera shoqërore të lidhura me pandeminë.
Rajonet pritet të rrisin huat neto në 400 miliardë rubla (5.3 miliardë dollarë) më 2021, krahasuar me pothuajse zero në vitin 2020, sipas vlerësimeve nga agjencia kombëtare e vlerësimit të kredive ruse.
“Rajonet më të zhvilluara do të fitojnë, ato më të dobëtat do të bëhen edhe më të dobëta”, i tha Bloomberg-ut, Stanislav Ponomaryov, një investitor në Transfingroup në Moskë.
Kina do të dalë më e fuqishme?
Kina, si vendi ku u zbulua për herë të parë koronavirusi, tashmë duket se po e tejkalon më të keqën.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 4.9 për qind midis korrikut dhe shtatorit të vitit 2020, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.
Megjithatë shifra është më e ulët, pasi ekonomistët kishin pritur një rritje prej 5.2 për qind.Rritja afër 5 për qind është më e ulët se rënia që pësoi ekonomia kineze në fillim të vitit 2020, pasi pandemia u shfaq për herë të parë.
Ekonomia e Kinës u tkurr me 6.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa fabrikat u mbyllën në të gjithë vendin.
Kjo ishte hera e parë që ekonomia e Kinës tkurrej që kur filloi të regjistronte shifrat tremujore në vitin 1992.
Analistët thonë se shkalla e rimëkëmbjes sugjeron se një përzierje e masave të rrepta të bllokimit dhe disa stimujve qeveritarë duket se kanë dhënë rezultate.
Disa punojnë nga shtëpitë, disave u duhet të gjejnë punë
Pandemia e COVID-19 gjithashtu ka goditur punëtorët e kategorive të ndryshme në mënyra të ndryshme.
“Derisa punonjësit e zyrave vazhdojnë të punojnë në kuzhinat dhe dhomat e tyre të gjumit për të paktën një pjesë të javës, punëtorët me paga më të ulëta që më parë punonin si kamerierë, pastrues dhe ndihmës shitjesh do të duhet të gjejnë punë të reja”, ka parashikuar The Economist.
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2020, orët e punës në nivel botëror ranë me 11.7 për qind, sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës të Kombeve të Bashkuara (ILO).
Humbjet në orët e punës çuan në humbje të të ardhurave të punës, që arrinin rreth 3.5 trilionë dollarë. Se si do të jenë tregjet e punës më 2021 do të varet kryesisht nga situata e pandemisë dhe reagimi i qeverive.
“Lehtësimi i parakohshëm i masave shëndetësore rrezikon zgjatjen e pandemisë dhe përkeqësimin e ndikimit të saj në tregun e punës, kështu që është e rëndësishme të synohet një ekuilibër i duhur i kujdesit ndaj shëndetit dhe ndërhyrjeve në politikat ekonomike dhe sociale”, tha analisti i ILO-s, Steve Kapsos.
“Politikbërësit sot po përballen me sfidën e përgjigjes fiskale për t’iu kundërvënë rrezikut të rritjes së papunësisë, varfërisë, pabarazisë dhe përjashtimit”, tha ai.
Cilët faktorë kanë rëndësi?
OECD parashikon që GDP-ja globale të rritet për 5 për qind në vitin 2021.Sidoqoftë, kjo varet nga shumë faktorë, përfshirë “gjasat e shpërthimeve të reja të infektimeve me koronavirus, pastaj sa do t’i respektojnë njerëzit masat dhe kufizimet shëndetësore, besimin e konsumatorit dhe biznesit dhe mbështetja e qeverisë për të ruajtur vendet e punës”.
Qeveritë do të përballen me një zgjedhje të vështirë se kur duhet të ndërhyjnë dhe kur të qëndrojnë mbrapa, duke e lënë tregun të funksionojë pa ndërhyrje, tha Elina Ribakova.
“Ekziston një ekuilibër midis sigurimit të mbështetjes dhe mospengimit të transformimit natyror të ekonomisë. Sektorë të caktuar nuk do të rikthehen dhe ne duhet të shmangim prezencën e firmave që nuk janë më funksionale”, tha ajo, duke paralajmëruar se çdo rimëkëmbje të jetë një detyrë afatgjate.
“Në varësi të kohës së vaksinimit dhe rrethanave të secilit vend më 2021 dhe 2022 ne do të shohim sesi qeveritë gradualisht do të tërhiqen nga mbështetjen ndaj likuiditetit në mënyrë të plotë, duke u përqëndruar në masa më specifike për rregullimin e papunësisë dhe rikualifikimit”, tha Ribakova për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, thotë ajo, shumë vende nuk do të kthehen edhe për shumë vite në nivelet e zhvillimit që e kanë pasur para vitit 2020.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...