Google ADS

31 punëtorë të MKRS morën paga pa shkuar asnjëherë në punë

15:37 | 23 Qershor 2020
Arbresh.info

Ish-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka paguar 31 punëtorë të cilët nuk kishin shkuar në punë.

Të njëjtit në vitin 2019 kishin marrë pagë të plotë e që i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 150,789 euro, shkruan arbresh.info.

Në raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës thuhet se MKRS nuk kishte ofruar asnjë dëshmi për vijueshmëri në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit që lamë pas për të njëjtit punëtorë.

“Sipas ligjit 03/L-149 Për Shërbyesit civil të Republikës së Kosovës neni 36 dhe rregullorja 05/2010 për orarin e punës respektivisht neni 4 punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë. Bazuar në vendimin e Qeverisë nr.06/39 i dt. 22.07.2015, 31 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit. Për këta zyrtarë, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi, siç janë: vijueshmëria në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2019. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2019 ishin 150,789€”, thuhet në të gjeturën e ZAK-së.

Aty thuhet gjithashtu se kjo çështje sipas ministrisë është ngritur edhe në organet qeveritare dhe ende nuk është përfunduar.

Sipas zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës kjo dëmton buxhetin.

“Ndikimi Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim të buxhetit sipas vlerës së shpenzimit, njëkohësisht mos arritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komunitetit në sistemin aktual”, thuhet më tej në raport.

Ndërsa është rekomanduar që të merren masa.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem ta adresoj edhe në Qeveri, duke qenë se problemi si i tillë, po përsëritet për vite me radhë dhe asnjë masë drejt zgjidhjes nuk është ndërmarrë”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme