Paga e tetorit nuk do t’i dalë as për të paguar këstin e kredisë Sehat Behramit nga Drenasi. Për më shumë se 30 vite, Behrami ka punuar në koorporatën e metalurgjisë “Ferronikeli”, që gjendet në Drenas, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. “Ferronikeli” ka qenë kompani publike para se të privatizohej në vitin 2005. Në vitin 2018, ajo është blerë nga kompania e Shqipërisë “Balfin Group”.
Kjo kompani e ndërpreu prodhimin më 8 tetor të vitit 2021 për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë. Kjo mbyllje i la të pasigurtë rreth 2 mijë punëtorë të kompanisë.
Behrami që punon si pastrues thotë se me pagën që e merrte në “Ferronikel” mban familjen 7 anëtarshe. Për muajin tetor, kjo kompani pritet t’i paguajë punëtorët me gjysmën e pagave, ndërsa për nëntor nuk dihet se çfarë do të ndodhë.
“Veç me shpresa, këto shpresa po na mbajnë sepse tjetër gjë nuk ka kanë mbetur. Nëpër kredi jemi dhe çmimet janë ngritur, kanë shkuar në hënë tash”, thotë Behrami.
Ky punëtor së bashku me dhjetëra kolegë të tij, për dy ditë rresht, të mërkurën dhe të enjten, protestuan para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar ndihmë.
“Nëse qeveria na ndihmon, na shpëton”, thotë Behrami.
Kompania “Balfin Group” që është në pronësi të “Ferronikelit” deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje. Për ndërprerjen e punës në kompani, më 8 tetor kishte njoftuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“U informova se për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për katër herë në tregjet globale, ndërpritet përkohësisht puna në këtë kompani”, kishte shkruar Lladrovci.
Asnjë fjalë nga Qeveria për kërkesën e punëtorëve
“Edhe ne jemi Kosovë” si dhe “ Kompania është privatizuar por jo edhe ne” ishin disa prej pankartave të punëtorëve protestues para Qeverisë së Kosovës.
Rifat Halimi që të enjten foli para protestuesve tha se ndërprerja e punës në këtë kompani mund të shkaktojë probleme shumë më të mëdha sesa mungesa e përkohshme e pagave.
“Ndërprerja e punës në kompani ka gjeneruar edhe probleme të tjera si ndërprerja e pagesës së rregullt të punëtorëve, krijimi i rasteve sociale, dëmtimi i pajisjeve pas ndërprerjes, humbja e tregut dhe faktorë të tjerë dytësorë”, tha ai.
Nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur reagime lidhur me kërkesën e punëtorëve për ndihmë. Ata nuk i janë përgjigjur as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Por, protestat nuk pritet të ndalen.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit, Fehmi Nika, veprimet sindikale do të vazhdojnë. “Ne kemi bërë protestë paqësore, i kemi bërë thirrje qeverisë që të merret me rastin tonë por nëse nuk merret shkojmë në masa tjera”, tha Nika. Sipas Nikës, paga mesatare e punëtorëve në këtë kompani është rreth 550 euro.
Rënia e eksportuesit gjigand prek ekonominë
Fabrika “Ferronikeli” prodhon dhe eksporton nikel nëpër shumë vende të botës, përfshirë Italinë, Indinë, Belgjikën, Britaninë e Madhe dhe vendet skandinave.
Nikeli, nga kjo kompani, shitet së bashku me hekur pasi ndarja e këtyre metaleve nuk ka mundësi të bëhet brenda fabrikës.
Prodhimi vjetor i fabrikës përfshin mes 7,000 dhe 10,000 tonë të nikelit dhe hekurit. Kujtojmë se sipas të dhënave nga “Tradingeconomics” këtë vit një ton i nikelit kushton 20 mijë dollarë amerikanë apo mbi 17 mijë euro.
Kompania e Ferronikelit është ndër eksportuesit më të mëdhenj në Kosovë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm në vitin 2019, kjo kompani kishte eksportuar nikel në vlerë prej 51 milionë euro. Nëse krahasohet kjo shumë me eksportin e përgjithshëm nga Kosovë për vitin 2019 që është 383 milionë euro, i bie që Ferronikeli përbën rreth 13 për qind të të gjithë eksportit në vend.
Në anën tjetër, në Kosovë importi për atë vit ka qenë rreth 3.5 miliardë euro vlerë e mallrave. Ish-ministri i energjisë, Fadil Ismajli mendon se ndërprerja e punës së këtij gjigandi metalurgjik dhe eksportuesi të fuqishëm është shenjë e prekjes së ekonomisë kosovare nga kriza energjetike në Evropë.
“Padyshim që Ferronikeli është prej eksportuesve kryesorë të Kosovës, dhe [kjo ndërprerje] ndikon mjaft në bilancin të eksport- importit në Kosovë”, tha ai.
Sipas Ismajlit, mund të jetë herët për një intervenim të Qeverisë por duhet bashkëbiseduar me kompaninë për të parë me vëmendje sa e rëndë është gjendja.
Ai thotë se ndihma nga Qeveria mund të vijë të paktën për punëtorët që mund të mbesin pa punë. Momentalisht nëpër gjithë Evropën, faturat për energji janë shumë të larta, për shkak të rritjes globale të konsumit të energjisë elektrike dhe gazit. Përveç rritjes sezonale të kërkesës për energji elektrike që çon në ngritje të çmimeve, tani ato janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit dhe çmimeve të larta për prodhim të energjisë nga qymyri në vendet e Bashkimit Evropian.
Kosova megjithatë nuk është prekur ende direkt nga kriza energjetike për shkak se furnizimin me rrymë po vazhdon ta mbulojë prodhimi vendor i rrymës.
Arsyeja pse kompania “Ferronikeli” u prek direkt nga kjo rrymë është për faktin se ata e blejnë rrymën nga tregjet e jashtme dhe nuk furnizohen fare brenda Kosovës./REL/
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...