2500 hektarë do të mbillen me kultura pranverore në Ferizaj

15:44 | 13 Prill 2015
M. A.

Përgatitjet për mbjelljet pranverore në komunën e Ferizajt po shkojnë sipas parashikimeve. Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarë nga Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj. Sipas tyre, me kultura pranverore është paraparë që të mbillen rreth 2500 hektarë, kryesisht misër, patate dhe perime.

Kryetari i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Ferizaj, Xhamajl Reçica, ka thënë se 80% e kësaj sipërfaqe të planifikuar tashmë është përgatitur për mbjellje, ndërsa gjatë këtyre ditëve varësisht prej kushteve klimatike do të përgatitet edhe pjesa e mbetur.

“Kushtet klimatike dhe reshjet e fundit nuk kanë pasur ndikim të dukshëm në kulturat e mbjellura bujqësore dhe në pemëtari, kështu që me përmirësimin e kushteve të motit do të filloj edhe mbjellja e kulturave pranverore. Fermerët e kanë kryer pjesën më të madhe të përgatitjes së tokës për mbjellje, ndërsa pjesa që ka mbetur do të përfundoj së shpejti”, ka thënë Reçica.

Për më tepër bëhet e ditur se edhe kulturat vjeshtore janë në gjendej të mirë, përveç atyre që kanë qenë të përmbytura nga vërshimet. Drejtori Reçica, ka bërë të ditur se me kultura vjeshtore janë të mbjellura 5000 hektarë, prej tyre me grurë 4620 hektarë, 60 hektarë me elb, 60 hektarë me tërshërë dhe 390 hektarë me bimë foragjere.

“Gjendja e tyre në përgjithësi është e mirë, por për shkak të reshjeve të mëdha dhe vërshimeve një pjesë e kësaj sipërfaqe zvogëlohet, por për fat të mirë subvencionet për grurë dhe misër janë të mira 150 euro, bujku nuk do të humbë në këtë aspekt, por do të humbë vetëm në investimet që i ka bërë në farë dhe imputo tjera bujqësore”, ka thënë Xhemajl Reçica.

Ndryshe, komuna e Ferizajt edhe për këtë vit ka paraparë investime në shumë sektorë të bujqësisë si në lavërtari, pemëtari, perimtari, blegtori, bletari, mbrojtje të bimëve dhe sistem të ujitjes. Bazuar në projektet që ka në dispozicion DBP-ja, shumë e investimeve në këto sektorë do të shkoj deri në 600 mijë euro./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme