2015-ta, më e shtrenjtë se vitet e kaluara

13:26 | 31 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Çmimet në përgjithësi në Kosovë nga viti në vit po pësojnë ndryshime. E, ky ndryshim fatkeqësisht, sipas qytetarëve nuk është në të mirë të tyre, pasi që ato çdo herë e më shumë po pësojnë ngritje.

Sipas tyre, ky ndryshim po vërehet më së shumti në ushqim, por ka filluar të vërehet dukshëm edhe në veshmbathje dhe në gjërat tjera.

Ata thonë se çmimet nuk janë aspak të arsyeshme në krahasim me standardin jetësor që kemi.

Labërie Sylejmani, thotë se nga viti në vit çmimet po pësojnë shumë ngritje sidomos në ushqim.

 

“Çmimet janë mjaft të larta dhe tash për fundvit ka edhe zbritje në disa artikuj, kryesisht në veshmbathje. E në ushqim ka edhe ngritje… sa i përket ushqimit, prej vitit të kaluar janë ngrit çmimet, e për veshmbathje njëjtë, varet se çfarë blenë… nuk përputhet me standardin fare, normal”, tha Sylejmani.

Edhe Sylejman Ajeti mendon që çmimet janë shumë të larta, por, sipas tij, ato dallojnë nga qyteti dhe vendet periferike.

 

“Për ushqim varet. Në disa pjesë, si në periferi, ushqimi është i lirë, por në qendër, brenda në qytet janë disa restorante janë çmimet sikur në Evropë, do të thotë nuk ka ndonjë dallim…”, tha Ajeti.

Ngritjen e çmimeve më së shumti e vërejnë bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë jashtë Kosovës, e të cilët vijnë një apo dy herë në vit. Ata thonë se mes viteve të fundit çmimet janë ngritur dukshëm, madje jeta këtu është bërë më e shtrenjtë se në vendet ku ata jetojnë. Po ashtu, sa u përket zbritjeve, ata thonë se ato nuk janë real.

Delina Bajrakbashi, e cila tani jeton në Gjermani thotë se po e vëren shumë ngritjen e çmimeve. Madje, si pas saj, në krahasim me Gjermanin çmimet janë dyfish më të larta.

 

“Në Kosovë po më duket që çmimet çdo vit janë ka rriten në krahasim me standardin e jetesës. Zbritjet që po i shoh nuk janë reale, ose siç janë edhe jashtë kështu që për një standard të Kosovë janë shumë shtrenjt… Me të thënë të drejtën, sa e pash një fustan, me atë çmim unë i marr 3 atje, është fustani i njëjtë po ndoshta duke e marr parasysh importin çmimi duhet me qenë pak më i lartë, por, është nja dyfish më i lartë se atje”, tha Bajrakbashi.

Edhe Zeqir Krasniqi së bashku me bashkëshorten e tij, Selivjën, të cilët kanë ardhur për pushime në këtë fundvit, thonë se jetesa këtu në Kosovë është bërë shumë e shtrenjtë.

 

“Ka disa gjëra që më të vërtet janë shumë të shtrenjta me standardin e Kosovës, por ato i vendos tjetërkush nuk jemi ne ata, pastaj ka gjëra të dala afati nëpër disa dyqane, po vërej që është një papastërti, me plot pluhur dhe kjo po më bren shumë… Ne shpenzojmë shumë, pa masë. Çdo njeri që vije këtu nuk ka fare kontroll se është për një kohë të shkurtër dhe nuk e shikon shumë… shumë gjëra janë më të larta se atje”, tha Krasniqi.

“Këtu janë më të larta se jashtë, ushqimorët sidomos, por edhe të tjerat.. për standardin jetësoj çfarë është këtu janë shumë shtrenjtë”, tha ajo.

Përveç çmimeve të larta gjatë tërë vitit, qytetarët po shqetësohen se ato po ngriten edhe më shumë gjatë festave, e në këtë rast për Vitin e Ri. Sipas tyre edhe zbritjet që po bëhen nuk po janë reale.

Por, të kundërtën e thonë vetë menaxherët e disa dyqaneve në Prishtinë.

Arben Dragusha, i cili është menaxher në njërën nga dyqanet e Prishtinës, thotë se çmimet gjatë tërë vitit janë shumë të arsyeshme dhe po ashtu edhe zbritjet që i bëjnë gjatë fundvitit janë shumë reale.

 

“Çmimet e dyqanit tonë janë të arsyeshme, sidomos në fund të vitit janë të arsyeshme sepse kemi zbritje… çmimet janë reale, si me zbritje ashtu edhe pa zbritje, e sheh edhe para zbritjes dhe pas zbritjes dhe për këtë e dinë edhe klientët tanë që i kemi”, tha Dragusha.

Të njëjtën e pohon edhe Almarin Liço, menaxher në një dyqan tjetër, i cili thotë se, sipas studimeve të bëra nga ana e tyre, çmimet i kanë shumë të arsyeshme dhe se ato janë të njëjta gjatë tërë vitit edhe në ditët e festave.

 

“Ne kemi bërë edhe një studim të konsumatorëve që kemi gjatë muajve të kaluara dhe një nga arsyet më të mëdha të cilët zgjedhin dyqanin tonë janë çmimet e arsyeshme… nuk ndryshojnë, nuk kemi një politikë të tillë, çmimet janë të njëjta gjatë gjithë vitit, nuk ka ndonjë ndryshim specifik për dhjetorin”, tha Liço.

Viteve të fundit, mesatarja e konsumit të përgjithshëm të ekonomive familjare në Kosovë është rreth 2 miliardë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme