Sa fitojnë bankat në Kosovë?

13:26 | 25 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Nga të dhënat e publikuara, sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, shihet se gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti bankat komerciale arritën fitim neto në vlerën prej 69.3 milionë eurove. Vetëm gjatë muajit shtator bankat shënuan fitim neto në vlerë prej 9.6 milionë eurosh.

Banka Qendrore tregon në raport se si të hyra kryesore bankat i kanë të hyrat nga interesi (140.8 milionë euro), shpenzimet e interesit deri në këtë tremujor janë 17.6 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshmedhe ato administrative janë 76.3 milionë euro, raporton kallxo.com.

Asetet e bankave deri në fund të muajit shtator arrijnë në vlerën prej 3.32 miliardë euro, vlera e kredive është 1.99 miliardë euro, me rritje vjetore të kredive prej 7.5% (9% kreditë e ekonomisë familjare dhe 7.2 % kreditë për ndërmarrje).

Vlera e depozitave të qytetarëve është 2.66 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej 5.5%. Norma efektive e interesit që bankat u paguajnë qytetarëve për depozita llogaritet të jetë 0.9%. Kapitali vetanak i bankave komerciale në Kosovë arrin vlerën e 358.2 milionë eurove.

Aktualisht në Kosovë operojnë 10 banka komerciale nga të cilat 8 kanëpronësi të huaj, ndërsa 2 vendore. Ato i kanë gjithsej 265 degë në të gjithë vendin. Të punësuar në këto banka janë 3,409 punëtorë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme