10.7 milionë euro për shpenzime të udhëtimit

08:58 | 22 Prill 2016
Arbresh.info

Shuma të mëdha parash nga buxheti i shtetit edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për udhëtime zyrtare apo edhe për shpenzime tjera të luksit.

Duke u bazuar në raportin vjetor të Ministrisë së Financave (MF), i cili është publikuar para pak ditësh, shihet qartë se gjatë vitit që lamë pas institucionet e vendit vetëm për shpenzime të udhëtimit kanë shpenzuar hiç më pak se 10 milionë e 749 mijë euro apo 186 mijë euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Gjithnjë duke u bazuar në raportin vjetor të MF-së shihet se për shërbimet e telekomunikacionit janë shpenzuar 4.4 milionë euro apo rreth 100 mijë euro më pak në raport me vitin paraprak. Në kategorinë buxhetore të identifikuar në raportin vjetor të MF-së si shpenzimet për shërbime janë shpenzuar 38 milionë e 878 mijë euro apo gati 3 milionë euro më pak sesa në vitin paraprak.

Në këtë kategori buxhetore bëjnë pjesë: shërbimet e arsimit dhe trajnimit, shërbimet e përfaqësimit dhe avokaturës, shërbimet e ndryshme shëndetësore, shërbimet këshillëdhënëse, shërbimet për shtypje, mirëmbajtje e softuerit, kompensimi për vendimet gjyqësore, etj. Gjatë vitit paraprak për furnizim për mobilie për zyrë janë shpenzuar 5 milionë e 778 mijë euro, derisa për derivate dhe lëndë djegëse janë shpenzuar 19 milionë e 628 mijë euro.

Po ashtu në kategorinë buxhetore të identifikuar si furnizime tjera janë shpenzuar gjithsej 59 milionë e 112 euro, derisa në vitin 2014 për këtë qëllim janë shpenzuar 54 milionë e 618 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme