Google ADS

​Hoti: Do të ketë reduktim të TVSH-së në disa produkte

16:52 | 27 Janar 2017
M. A.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), me të cilët ka diskutuar për masat e reja të Pakos Fiskale 2.0.

Me këtë rast, përfaqësuesit e OEGJK kërkuan që rekomandimet e tyre të përfshihen në listën përfundimtare të masave të pakos së re fiskale 2.0.

Përfaqësuesi i Odes, Fadil Hoxha, ka kërkuar që të dinë më shumë nëse me ligjin e ri është paraparë të hiqet TVSH-ja në energjinë e ripërtritshme dhe të ndryshohet diçka në drejtim të energjisë solare.

“Nga 1 prilli kemi ligjin e ri, liberalizimi i tregut të energjisë, ju kisha lutur shumë se nuk e di kur bëhet lista e mallrave që do të lirohen a do të ketë diçka në drejtim të energjisë solare. Ne si prodhues, kemi dëshirë me e bë një propozim që të bëhet njëjtë si në çdo shtet në kontinent ku nuk aplikohet TVSH-ja për energjinë e ripërtritshme“, tha Hoxha.

Ai kërkoi që të bëhet diçka edhe në drejtim të stimulimi të potencialit që sipas tij është i pashfrytëzuar, ë që është fuqia e grave nga zonat rurale.

Nga ana tjetër, ministri Hoti prezantoj masat të cilat do të rregullohen me këtë ligj. Sipas tij, gjitha këto masa po merren me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë.

 

“Importi i lëndëve të para të makinerive dhe çfarëdo komunikimi që këto kompani kanë me ATK-në dhe doganën. Masa e dytë është heqja e normës së akcizës në mazut që përdoret për prodhime…Masa e tretë është plotësimi dhe ndryshimi i listës të produkteve që i nënshtrohet normës së reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind…Masa e katërt është Udhëzimi Administrativ për pushimet tatimore, që buron nga ligji për të ardhura në korporata. Përmes këtij udhëzimi ne po planifikojmë të përcaktojmë disa sektorë në ekonomi, ku firmat që investojnë në sektor, varësisht prej nivelit të investimeve dhe numrit të vendeve të punës që krijojnë, t’i lirojmë nga tatimi për një periudhë të caktuar”, tha Hoti.

Të tjera masa, sipas ministrit Hoti, do të jenë edhe vendosja e banderolës në produktet e miellit me qëllim që të krijohet siguri, si dhe plotësimi dhe ndryshimi tek disa ligje, siç është ndryshimi i lojërave të fatit dhe kode të reja doganore që kanë për qëllim krijimin e lehtësirave gjatë procesit të doganor.

Përndryshe, Hoti është duke mbajtur takime të ndryshme me përfaqësues të bizneseve dhe akterë të tjerë relevantë me qëllim që të marrë opinione për hartimin e ligjit të ri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme