Specialja lejon dorëzimin e parashtrimeve për Mustafën nga mbrojtësit e viktimave dhe ZPS-ja

13:31 | 21 Tetor 2024
E.H

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit të viktimave që t’u lejohet të dorëzojnë parashtrime lidhur me kërkesën e Salih Mustafës për mbrojtje të ligjshmërisë në Kushtetuesen e Speciales.

Vendimi është marrë më 17 tetor 2024 nga gjyqtari Vidar Stensland i cili pranon kërkesat nga këto dy palë, e gjithashtu vendos që ZPS-ja të dorëzojë parashtrimet e saj deri më 8 nëntor 2024.

Ndërsa, për parashtrimet e mbrojtësit të viktimave parashihet një praktikë tjetër për dorëzimin e parashtrimeve të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Vendos që Këshilli i Viktimave mund të dorëzojë paraqitje të shkruara vetëm në masën që ka të bëjë me të drejtat e viktimave për të marrë pjesë dhe që këto paraqitje, nëse ka, nuk duhet të kalojnë 10 faqe”, thuhet në vendim.

Ndërsa, koha që Mustafa mund të dorëzojë kundërpërgjigje ndaj parashtrimeve të palëve është përcaktuar deri me 29 nëntor 2024 e që nuk duhet të kalojë 25 faqe.

Ndërsa, për gjuhën e punës së kësaj çështje në këtë shkallë është vendosur që të jetë anglishtja por që të mundësohet përkthimi ose interpretimi të të gjitha gjuhet zyrtare të Gjykatës (shqip, anglisht dhe serbisht).

Ndryshe, në arsyetimin e vendimit, thuhet se procedurat para Kushtetueses nuk janë natyrë kundërshtuese dhe kanë të bëjnë vetëm me shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut. Si rrjedhojë, sipas vendimit, në këso rastesh nuk ka palë në procedurë që mund të bëjnë parashtrime. Por, që një gjë e tillë mund të lejohet vetëm në rast që Paneli e konsideron se është e nevojshme.

Sipas vendimit, thuhet se Paneli e ka shqyrtuar kërkesën e ZPS-së e të cilën e ka konsideruar të përshtatshme prandaj edhe pranoi të ketë paraqitje nga ana e tyre në lidhje me referimin e Mustafës.

Ndërsa, mbrojtësi i viktimave është lejuar që të bëjë paraqitje vetëm sa i takon pjesëmarrjes së viktimave.

Veç tjerash, sipas historikut procedural në vendim, thuhet se Mustafa ka paraqitur kërkesë në Kushtetuese me 27 shtator 2024 e cila është bazuar në nenet e Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit të DhSK-së që ka të bëjë me të drejtat e tij si individ për të cilat mendon se janë shkelur.

Kjo kërkesë është kundër vendimit të Gjykatës Supreme e cila refuzoi dhe hodhi poshtë disa pika të ankesës së Mustafës. Nëpërmjet referimit në Kushtetuese, Mustafa ka kërkuar që kërkesa e tij të shpallet e pranueshme, dhe ta kthejë çështjen serish në rigjykim tek Supremja.

“Ankesat e formuluara në këtë Kërkesë kanë të bëjnë me shkeljet e të drejtave dhe lirive të Mustafës, të garantuara nga Kushtetuta, veçanërisht nenet 22 (2), 31 (1) dhe 33 (2) dhe (4) të Kushtetutës së Kosovës, si dhe nenet 6 dhe 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore dhe Protokollet e saj (“KEDNJ”), të mbrojtura gjithashtu nga Kushtetuta”, thuhet në kërkesën e Mustafës të dorëzuar me 27 shtator 2024.

Më pas, ishte caktuar paneli për të vendosur lidhur me kërkesën e Mustafës e që në krye ishte gjyqtari Vidar Stensland.

Kërkesën që t’i lejohet dorëzimi i paraqitjeve të saj, ZPS-ja e dorëzoi me 3 tetor 2024 duke pretenduar se referimi i Mustafës rrjedhë nga aktakuza, gjykimi dhe procedurat e apelimit dhe përfshinë çështje të trajtuara në procedura inter-partes gjatë atyre procedurave.

“ZPS argumenton se, për këtë arsye, “ka një interes të drejtpërdrejtë dhe ndikohet drejtpërdrejt nga lënda e Kërkesës”. ZPS kërkon që, nëse i jepet leje për të bërë paraqitje për Kërkesën, të lejohet ta bëjë këtë deri më 8 nëntor 2024, për shkak të “përmasave, rëndësisë dhe kompleksitetit të çështjeve të ngritura në Kërkesë”, thuhet tutje në vendim.

Në anën tjetër, thuhet se Mustafa e kundërshtoi kërkesën e ZPS-së duke argumentuar se Ligji nuk i jep në mënyrë të pavarur ZPS-së autoritetin për të bërë kërkesa.

“Për më tepër, Aplikanti argumenton se Kërkesa lidhet me të drejtat dhe liritë e tij individuale, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe për këtë arsye nuk ka të bëjë me punën e zyrës së ZPS-së”, thuhet tutje.

Kurse, më 10 tetor kishte kërkuar mbrojtja e viktimave lejen për të bërë paraqitje në referimin e Mustafës.

“Sipas Mbrojtësit të Viktimave, viktimat kanë të drejtën e njoftimit që shtrihet në të gjitha fazat e procedurave. Mbrojtja e Viktimave më tej argumenton se Aplikanti “sulmon drejtpërdrejtë hapësirën e pjesëmarrjes së viktimave” dhe për këtë arsye shkon “drejtpërdrejtë në zemër të mënyrës se si viktimat mund të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e tyre të garantuara në nenin 22 të Ligjit në procedurat përkatëse”, thuhet tutje në vendim.

Megjithatë, kundërshtimin e tij për kërkesën e mbrojtjes së viktimave e kishte paraqitur më 14 tetor 2024.

“…duke argumentuar, ndër të tjera, se Kërkesa ka të bëjë me të drejtat e tij individuale dhe “nuk është menduar të jetë si një mundësi shtesë ose rrugë e veçantë për viktimat, apo ndonjë palë tjetër, për të bërë komente mbi Kërkesën e Mustafës”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, janë miratuar kërkesat e ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave e që parashtresat në këtë rast duhet të dorëzohen më së largu deri me 8 nëntor 2024. Ndërsa, kundërpërgjigja e Mustafës deri më 29 nëntor 2024.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme