Për shkak të mungesës së të akuzuarit Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në ekzil, ka dështuar për herë të katërt të nisë gjykimi ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin “Fondi 3%”.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Bukoshi, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi palët në procedurë se kishte lëshuar urdhërarrest për ta sjellë atë në gjykatë. Megjithatë, sipas tij, Policia nuk e kishte gjetur të akuzuarin në adresën e dhënë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësja e të akuzuarit Bukoshi, avokatja Dafina Osmani, e cila po e përfaqëson me autorizim avokatin Besnik Berisha, tha se klienti i saj është në regjim shtrati dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Osmani shtoi se bashkëshortja e të akuzuarit e ka informuar mbrojtjen se Policia kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe ata e kishin parë që i akuzuari ishte në regjim shtrati për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke kërkuar që Gjykata të korrigjojë këtë informacion.
“Gjithashtu, e njoftojmë gjykatën që bashkëshortja e zotëri Bujar Bukoshit më datë14 tetor 2024, ka dorëzuar një kërkesë te kryetarja e kësaj gjykate. E ka njoftuar gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj dhe ka kërkuar mirëkuptimin që të përdorë autoritetin e saj dhe të kërkojë që gjykatësi të ketë mirëkuptimin, që të shtyjë seancën me një afat të pacaktuar”, tha avokatja Osmani.
Kërkesën për shtyrjen e seancës dhe dokumentet e përkthyera mjekësore, avokatja Osmani ia dorëzoi gjykatësit Beqiri.
Lidhur me këtë, gjykatësi Beqiri tha se parashtresat e dorëzuara kryetares së Gjykatës Themelore nuk kanë të bëjnë me këtë çështje penale dhe vendimi për këtë është në kompetencën e tij, pasi ai është gjykatësi përgjegjës i rastit.
“Po ashtu, lidhur me raportet mjekësore që pretendohet të jenë të përkthyera, ato janë gjithsej 4 faqe, por nuk janë origjinale dhe vula e përkthimit nuk është origjinale”, tha Beqiri.
Në lidhje me këtë, avokatja Osmani sqaroi se dokumentet origjinale janë në posedim të tij.
Në këto rrethana, gjykatësi Beqiri vendosi për ndërprerjen e seancës, pasi nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e saj. Kështu, seanca u shty në afat të pacaktuar.
Më 5 dhe 24 shtator 2024 seancat kanë dështuar të mbahen në mungesë të të akuzuarit Bukoshi. Gjithashtu, seanca e paraparë për t’u mbajtur më 16 tetor 2024 është anuluar.
Ndryshe, aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit. Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.
Kurse, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim. Mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2023, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim.
Kurse, Apeli më 19 dhjetor 2023, ua zbuti dënimin dy të akuzuarve, duke i dënuar me nga 18 muaj burgim.
Ndërkaq, më 5 qershor 2024, Gjykata Supreme ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit, duke vendosur që për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale, ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit të refuzohet akuza për rastin e njohur si “Fondi 3%”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër Bujar Bukoshit për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër Atdhe Gashit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.
Sipas PSRK-së, thuhet se Bujar Bukoshi gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.
Me këto veprime, sipas Prokuroriasë Bujar Bukoshi ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.
Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.
Me këto veprime, thuhet se të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, thuhet se Bujar Bukoshi në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohej se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkonte Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).
Po ashtu, prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.
Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi- kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154,132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.
Me këto veprime, sipas aktakuzës të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...