Zvicra pritet të ashpërsojë masat për të pavaksinuarit

17:28 | 11 Dhjetor 2021
V. S.

Një javë pas shtrëngimit të rregullave për certifikatat dhe mbajtjen e maskave, qeveria zvicerane ka propozuar masa të reja për të frenuar infeksionet në rritje nga COVID-19 dhe për të lehtësuar presionin mbi spitalet. Presidenti, Guy Parmelin, tha se situata mbetet kritike edhe pasi qeveria dërgoi dy skenarë të mundshëm për konsultim nga kantonet përpara se një vendim të merret të martën e ardhshme.

Skenari i parë parashikon një shtrirje të të ashtuquajturit rregulli “2G”, duke kufizuar hyrjen brenda vendeve publike, restorante, bare, salla koncertesh, kinema etj. – për ata që ose janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 ose janë shëruar, prej tij. Në këtë skenar, i cili do të përjashtonte personat e pavaksinuar me test negativ nga aktivitetet e brendshme, vendosja e maskave do të ishte gjithashtu e detyrueshme.

Skenari i dytë shkon më tej, duke propozuar mbyllje të atyre vendeve ku mbajtja e maskës nuk është e mundur, për shembull baret, restorantet, palestrat dhe klubet e natës. Aktivitetet e brendshme sportive dhe kulturore si kinematë dhe teatrot do të lejohen, por me maska, shkruan Swissinfo.

Ministri i Brendshëm, Alain Berset, tha se ky opsion është “jashtëzakonisht i pakëndshëm”, por qëllimi është të shmangen mbylljet e bllokimet më të gjera dhe të vazhdohet kërkimi për “mesin e lumtur” midis shëndetit publik dhe jetës socio-ekonomike.

Ndërkohë, përtej dy skenarëve, qeveria propozoi gjithashtu masa tjera të premten, duke përfshirë kufizimin e tubimeve private në pesë persona dhe bërjen e punës nga shtëpia të detyrueshme. Sa i përket shkollave, aktualisht vatra të infeksionit, atyre u është kërkuar të ndjekin shembullin e treguar nga kantone të ndryshme kohët e fundit me mbatjten e maskave të obligueshme në të gjitha nivelet, përfshirë filloren.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të nxitur interesin për fushatën e vaksinimit, zviceranët janë ende ndër më ngurruesit në Evropën Perëndimore; që nga e premtja, rreth 68% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë vaksine, që përbën rreth 78% të popullsisë së moshës 19 vjeç e lart.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme