Virusi më shumë shpërndahet në grupime të mëdha dhe ahengje

16:00 | 26 Nëntor 2020
Arbresh.info

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik Besim Zekiri, thotë se coronavirusi në përgjithësi përhapet nga grupimet e mëdha dhe festat, ku njerëzit janë pa maska dhe nuk i respektojnë masat tjera për mbrojtje.

Sipas tij, vatrat e virusit gjenden me vështirësi në kushtet kur ka numra të lartë të rasteve të reja. Ai thotë se anketat epidemiologjike ndihmojnë nëse bëhen me kohë.

“Mënyra e përhapjes kryesisht është në grupime të mëdha, ahengje, ku njerëzit ekspozohen pa maska dhe nuk kanë kujdes për masat tjera për mbrojtje. Është e vështirë të gjenden vatrat në kushtet kur kemi numra të lartë të rasteve të reja, por vatrat kryesore janë në familje dhe organizata punuese”.

“Epidemiologët tashmë një kohë të gjatë punojnë jashtë orarit dhe gjatë fundjavave, por edhe përkundër kësaj, anketat bëhen me vonesa. Anketat ndihmojnë nëse bëhen me kohë, me çka të izolohen të infektuarit dhe kontaktet e tyre”, tha mjeku Zekiri për “A1on”.

Ai shtoi se është e nevojshme të përforcohen kapacitetet, por kjo është e pamundur pasi duhen specialistë, gjegjësisht epidemiologë.

Ndryshe, në nivel ditor Qendra e Shëndetit Publik në Shkup arrin të bëjë 60 anketa, edhe pse ditëve të kaluara numri i të infektuarave ka qenë 500.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme