Vaksinat kundër Covid ulin rrezikun e sëmundjes deri në 80 përqind

00:23 | 2 Mars 2021
Trina Galanxhi

Një vaksinë e vetme nga Oxford-AstraZeneca ose Pfizer-BioNTech kundër koronavirusit zvogëlon mundësinë e nevojës për trajtim spitalor deri në 80 përqind, ka gjetur një studim në Britani të Madhe.

Të dhënat e Shëndetit Publik të Anglisë treguan se efekti filloi në tre deri në katër javë pas vaksinimit, shkruan BBC, transmeton portal arbresh.info

Studimi bazohet te njerëzit e moshës mbi 80 vjeç që ishin të parët që u vaksinuan.

Shkencëtarët e qeverisë përshëndetën rezultatin, por theksuan se duheshin dy doza për mbrojtjen më të mirë.

Kjo vjen pasi gjetje të ngjashme u botuan nga autoritetet shëndetësore skoceze javën e kaluar, të cilat ata i vlerësuan si “spektakolare”.

Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock tha të hënën në një konferencë në Downing Street se rezultatet e fundit të vaksinës ishin “shumë të forta”.

Sipas tij, vaksina ka ndihmuar që numri i pacientëve me koronavirus që kërkojnë ndihmë në spital të bie dukshëm.

Gjithashtu duke folur në konferencën për shtyp, nënkryetari i përgjithshëm mjekësor i Anglisë – Prof Jonathan Van-Tam – tha se të dhënat ofruan një paraqitje të shkurtër të mënyrës se si programi i vaksinës “do të na shpie me shpresë në një botë shumë të ndryshme në muajt e ardhshëm”.

Më shumë se 20 milionë njerëz në Britani të Madhe kanë marrë tashmë dozën e parë e vaksinën kundër koronavirusit.

Ndërkohë, 104 vdekje të tjera brenda 28 ditëve janë raportuar nga autoritete britanike./arbresh.info./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme