Google ADS

UNICEF-i bën thirrje për respektimin e masave parandaluese të COVID-19

17:42 | 19 Qershor 2020
Arbresh.info

Gjersa numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të rritet, UNICEF-i kërkon që të kujdeseni për shëndetin dhe mirëqenien tuaj dhe të mbroni të tjerët.

Përderisa shpejtësia dhe shkalla e shpërthimit po paraqesin sfida të panumërta, UNICEF-i bën thirrje që të vazhdohet ndërmarrja e tri masave paraprake të thjeshta për të zvogëluar shanset për infektim ose përhapje të COVID-19:

• Mbani maskë në hapësirat publike.
• Mbani të paktën 1.5 metër distancë me të tjerët.
• Lani rregullisht duart tuaja me sapun dhe ujë.

“Mbrojtja e shëndetit të fëmijëve dhe komuniteteve mbetet prioritet kryesor për UNICEF-in. Ne jemi në partneritet me institucionet, shoqërinë civile, mediat, prindërit dhe të rinjtë në mënyrë që të reagojmë dhe të rimarrim veten nga efektet e COVID-19. Është arritur progress i konsiderueshëm por duhet të bëhet shumë më tepër për krijimin e një normaliteti të ri. Unë vet i praktikoj dhe u bëj thirrje të gjithëve të praktikojnë tre hapa të thjeshtë “maskë, distancë, higjienë” për ta mbrojtur njëri-tjetrin – tha, Murat Sahin, Shefi i Zyrës së UNICEF-it të Kosovës.

Që nga fillimi i shpërthimit, UNICEF-i ka siguruar 7.1 ton të pajisjeve mbrojtëse personale (PMP) për Ministrinë e Shëndetësisë, ku 10% e tyre janë shpërndarë në institucionet shëndetësore të komunitetit serb. 20,000 pako të higjienës familjare dhe pajisje shtesë për fëmijët u janë shpërndarë përmes Kryqit të Kuq të Kosovës familjeve në nevojë me mbështetjen financiare të USAID-it në Kosovë dhe Qeverisë së Luksemburgut. UNICEF-i do të vazhdojë të sigurojë asistencë teknike, ofrimin e furnizimeve esenciale, mbështetje efektive të komunikimit për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Gjatë muajve të ardhshëm, në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSH-në, UNICEF-i do të sjellë 37.5 tonë shtesë pajisje mbrojtëse personale (PMP) për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë. Këto furnizime esenciale janë vënë në dispozicion përmes mbështetjes bujare të Qeverisë së Luksemburgut me 19 ton (2,476,900 njësi PMP), Ambasadës së Japonisë në Kosovë me 9.5 ton (993,750 PMP) dhe Fondi i Mirëbesimit për Reagim dhe Rimëkëmbje nga COVID-19 i KB-së me 9-ton (916,700 PMP).

UNICEF-i i vlerëson përpjekjet e donatorëve, institucioneve dhe partnerëve të tjerë dhe është i përkushtuar të vazhdojë me këtë partneritet të fortë në mënyrë që të plotësojë nevojat e personave të prekur nga COVID 19./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme