Google ADS

Udhëtimet në Europë: Tre skenarët e mundshëm pas pandemisë

10:25 | 24 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Një nga humbësit më të mëdhenjë të krizës aktuale që është shkaktuar nga pandemia e Covid-19 është industria e turizmit, veçanërisht industria e aviacionit, e cila ka parë ulje masive përsëri në muajt e fundit, për shkak të kufizimeve të gjera të udhëtimit nëpër botë.

Në këtë krizë patjetër që përfshihet edhe trafiku ajror në Europë.

Në atë kontekst, Organizata Europiane për Sigurinë e Transportit Ajror, e njohur si Eurocontrol, analizoi zhvillimin e transportit ajror Europian në vitet e ardhshme deri në vitin 2024 dhe zbuloi disa implikime interesante, transmeton portal arbresh.info

Mes marsit dhe tetorit të këtij viti, janë kryer 65 përqind më pak fluturime sesa në të njejtën kohë gjatë vitit të kaluar. Kjo rënie e udhëtimeve krahasohet me nivelin e para viteve 1990.

Në të njëjtën kohë, sipas ekspertëve, PBB-ja për zonën e euros është më e ulët me 7.5%. Kjo është një goditje e madhe për industrinë e aviacionit dhe ka shumë të ngjarë të kalojë shumë kohë para se e gjithë industria të kthehet në nivelet e para krizës. Por sa saktësisht? Së pari, është e nevojshme të shikohet se si industria është përgjigjur në dy krizat e mëparshme.

Dy ngjarjet e zgjedhura nga Eurocontrol ishin sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe kriza e madhe financiare (2008-11). Pas sulmit në Qendrën Botërore të Tregtisë në 2001, industrisë evropiane të transportit ajror iu desh një vit e gjysmë për t’u kthyer në nivelin e 2001.

200,000 fluturime u humbën nga koha e rimëkëmbjes. Kriza financiare ishte disi më problematike. Ajo rezultoi në 600,000 fluturime të humbura dhe industrisë iu deshën 8 vjet që të kthehej në nivelin e trafikut ajror nga 2008.

Në kohën e pandemisë, rreth 6 milionë fluturime janë anuluar. Sidoqoftë, koha e rikuperimit është e pasigurt dhe varet nga disa faktorë.

Ato variojnë nga fuqia e valës së dytë të pandemisë tek ndihma shtetërore për industrinë, si dhe nga futja e mundshme e një vaksine universale për të trajtuar virusin.

Skenari i parë për kthim në normalitet supozon që pandemia të përfundojë deri në verën e ardhshme, ose që vaksina të jetë gjerësisht e disponueshme për të gjithë udhëtarët. Kjo do të rezultojë në një rritje të besimit të pasagjerëve, si dhe një rritje në infrastrukturën dhe objektet e testimit. Në të njëjtën kohë, linjat ajrore do të ktheheshin në aktivitetin normal ekonomik dhe do të ishin në gjendje të riinvestonin dhe të punësonin përsëri personelin. Me këtë ritëm rritje, rimëkëmbja në nivelet para-pandemike do të ishte e mundur në vitin 2024.

Bazuar në skenarin e dytë, pritet që pandemia të përfundojë në verën e vitit 2022. Në këtë rast, trafiku ajror në Europë do të kthehej në nivelin e vitit 2019 deri në vitin 2026, transmeton portal arbesh.info

Skenari përfundimtar dhe më negativ supozon që pandemia do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe se do të rezultojë në një nivel të ulët të vazhdueshëm të besimit të pasagjerëve. Në këtë rast, vaksina do të jetë në dispozicion deri në verën e vitit 2022, por nuk do të shpërndahet vazhdimisht në të gjithë botën.

Sipas skenarit të tretë, komanitë ajrore do të kenë shumë të vështirë që të kthejnë biznesin e tyre në periudhën e para pandemisë. Kërkesa për udhëtime ajrore do të rifillojë për rreth dy të tretat e popullsisë, por do të ketë luhatje të përgjithshme në lidhje me këtë mjet transporti.

Pra, në këtë mjedis, nuk ka gjasa që rimëkëmbja të arrijë më herët se 2029.

Në përgjithësi, për momentin është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet trafiku ajror në Europë në vitet e ardhshme. Sidoqoftë, muajt e ardhshëm mund të tregojnë se cilën rrugë kemi ndërmarrë, dhe kështu kohën e mundshme të rimëkëmbjes së industrisë së aviacionit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme