Aftësia jonë për ta sulmuar infeksionin e Covid-19 me ilaçe, është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me fazën e parë të pandemisë. Ndonëse nuk ka ende asnjë anti-viral specifik kundër SARS-CoV-2, pra as një “kurë të mrekullueshme” të vetme, ka disa qasje terapeutike të dobishme kundër aspekteve të veçanta të sëmundjes, të cilat po e përmirësojnë prognozën e pacientëve të shtruar nëpër spitale.
Kortikosteroidet
Kortikosteroidet, klasa e ilaçeve me veti anti-inflamatore, ku hyn edhe kortizoni, bashkë me heparinën antikoagulante, përbëjnë trajtimin kryesor të sëmundjes së që shkakton koronavirusi i ri. Në qershor, të dhënat e “RECOVERY’ zbuluan se deksametazoni, një kortikosteroid i lirë, i lehtë për t’u administruar, e zvogëlon me një të tretën vdekshmërinë për shkak të Covid tek pacientët me simptoma të rënda. Rezultate të ngjashme, u konfirmuan edhe në shtator nga një tjetër studim i përbashkët ndërkombëtar.
Interferoni Beta
Interferonet, janë një grup proteinash të prodhuara nga qelizat, për ta mbrojtur trupin e njeriut nga “pushtimi” i një virusi. Ne e dimë prej kohësh, se pacientët që nuk prodhojnë sasi të mjaftueshme të një lloji interferoni, beta, janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të mushkërive nga infeksionet virale.
Një studim i vogël klinik në Britani, zbuloi se tek pacientët me Covid-19 në spital, që merrnin interferon beta, zvogëlohej me 79 për qind rreziku i zhvillimit të pasojave të rënda inflamatore, krahasuar me ata që kishin marrë një placebo. Gjithashtu, pacientët e trajtuar me interferon beta, kishin 2 herë më shumë gjasa të shëroheshin plotësisht brenda 16 ditëve, krahasuar me grupin placebo.
Remdesivir
Ky ilaç – i vetmi anti-viral që përdoret aktualisht kundër CoViD-19 – është i aftë të parandalojë viruse të ndryshme, përfshirë SARS-CoV-2, nga kopjimi i materialit të tyre gjenetik. Ai është i autorizuar tashmë të përdoret në dhjetëra vende të botës tek pacientë me Covid-19, që kanë nevojë për oksigjen shtesë.
Një studim i kryer në Vuhan të Kinës, nuk gjeti ndonjë përfitim të dukshëm nga përdorimi i këtij ilaçi. Por një studim tjetër i kryer në SHBA, spekuloi se ky ilaç mund të shkurtojë kohën e shërimit të pacientëve të shtruar në spital me Covid, por kjo tendencë nuk ka gjetur konfirmim të rëndësishëm në studimet pasuese.
Antitrupat monoklonale
Antitrupat monoklonale, përfaqësojnë sot shpresën më konkrete të trajtimeve efektive kundër Covid, deri në daljen e vaksinës. Ato janë klone qelizore të prodhuara në laborator nga proteinat e sistemit imunitar të njeriut kur has një patogjen, në këtë rast SARS-CoV-2.
Një lloj antitrupi monoklonal, tocilizumab, është tashmë i autorizuar të përdoret në SHBA për t’i kundërvënë reagimit të tepërt të sistemit imunitar në fazat kritike të sëmundjes së Covid-19. I testuar në grupe të vogla pacientësh, ai ka dhënë rezultate kontradiktore.
Sipas disa studimeve, ai e zvogëlon rrezikun e përdorimit të ventilimit mekanik, dhe ul rrezikun e vdekjes. Por studime të tjera, nuk kanë gjetur përfitime të rëndësishme. Një kombinim i antitrupave monoklonale, REGN-COV2, i prodhuar nga kompania farmaceutike Regeneron, ka treguar rezultate shumë premtuese tek kafshët, dhe është përdorur gjithashtu si pjesë e “terapisë së shokut” për të kuruar Donald Trumpin.
Plazma hiperimune
Përdorimi i plazmës nga pacientët e shëruar nga Covid, u miratua për përdorim urgjent në SHBA në muajin gusht, pavarësisht provave për një efikasitet të dobët të saj. Që atëherë, mjekëve që e përdorin, nuk u kërkohet më të raportojnë të dhëna mbi rezultatin e këtyre trajtimeve, gjë që e ka bërë edhe më të vështirë të kuptohet nëse plazma funksionon apo jo.
Ilaçe të tjera
Midis ilaçeve të testuara nga “RECOVERY” është edhe azitromicina, me veti anti-inflamatore, dhe gjithashtu me një veprim antiviral jo-specifik. Sipas eksperimenteve, ajo nuk ndihmon pacientët tashmë të shtruar në spital me Covid, ndërsa është ende duke u testuar se si ndikon në fazat më të hershme të sëmundjes.
Ndërkohë, tani duket se vërtetuar se hidroksiklorokina antimalarike, e kombinuar me anti-viralët e përdorur kundër HIV, lopinavir /ritonavir, nuk janë të dobishëm kundër Covid-it.
Ndërkaq, është duke u testuar ende një përbërës tjetër aktiv i përdorur kundër malaries, artemisinin, që ushtron një veprim anti-viral dhe përqendrohet tek mushkëritë, dhe për këtë arsye mund të ketë ndikime pozitive. / Focus – Bota.al
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...