Remzi Krasniqi nga Prishtina është një nga qytetarët e parë që ka aplikuar për ndihmën financiare prej 50 eurove nga Komuna e Prishtinës, pasi ishte prekur nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Kuvendi Komunal i Prishtinës, pak muaj pas paraqitjes së rasteve me koronavirus në Kosovë, kishte miratuar një vendim që qytetarëve të saj, nën moshën 65-vjeçare, të infektuar me koronavirus, t’iu dalë në ndihmë me nga 50 euro, ndërkaq pensionistëve me 100 euro.
Megjithatë, Krasniqi thotë se qe nëntë muaj është në pritje të këtyre mjeteve.
“Në muajin e pestë të vitit të kaluar e kam kryer COVID-in dhe asgjë, nuk kanë dalë paratë. Nuk e di ku të ankohem më për ato 50 euro. Nuk janë para këto 50 euro, do të duhej të ishin 300, 400 euro për t’i mbuluar ato shpenzimet e familjes. Gjashtë anëtarë të familjes kemi qenë të mbyllur”, tha Krasniqi.
Edhe Mexhid Jetullahu, pensionist, është në pritje të 100 eurove, pasi po ashtu, ai ishte prekur nga COVID-19.
“Edhe gruaja, edhe vetë kemi qenë me COVID-19. Kemi aplikuar dhe asnjëri nuk i kemi marr paratë nga komuna. Pesë analiza që i kam bërë kushtuan 37.30 euro. Edhe të shtunën e bëra një analizë, që ta shoh se a kam antitrupa. Më kushtoi goxha shtrenjtë, e unë pensionist jam”, tha Jetullahu.
Në anën tjetër, shërimi nga koronavirusi mund të kushtojë mbi 500 euro.
Komuna në pritje të bartjes së mjeteve
Rreth 23.000 qytetarët të Prishtinës kanë aplikuar për këtë ndihmë financiare, në mesin e të cilëve 2.819 pensionistë. Deri më tash, Komuna e Prishtinës në total ka paguar 467.100 euro dhe 106.450 euro janë në pritje për t’u realizuar për 1.824 qytetarë që figurojnë të verifikuar dhe të siguruar, deklaroi Muhedin Nushi.
Ai pranoi se ka vonesa në alokimin e mjeteve nga komuna te qytetarët dhe njëra nga arsyet është edhe koha që kërkohet për verifikimin e qytetarëve që i takojnë Komunës së Prishtinës.
“Kemi pasur deri tash rreth 800 raste ku qytetarët nga komunat e tjera kanë aplikuar për këtë ndihmë, pra duhet të kemi kujdes shumë se si po i shpërndajmë këto para publike. Do të thotë, duhet një durim i qytetarëve, dhe e dyta jemi duke pritur bartjen e mjeteve të vitit të kaluar. Kjo do të bëhet në mbledhjen e kuvendit. Unë besoj që në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal (në muajin mars), do të jetë një nga pikat e rendit të ditës bartja e mjeteve, ku do të aprovohen edhe 4 milionë të tjera, të cilat kanë mbetur pa u shfrytëzuar nga viti i kaluar”, tha Nushi.
Deri më 28 shkurt, 27.302 qytetarë të Prishtinës janë prekur nga koronavirusi.
Ndihmë financiare për të prekurit me COVID-19, në nëntor të vitit të kaluar, ka premtuar edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut, me nga 50 euro për secilin qytetarë. Qytetarët janë ende në pritje të parave.
Nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka, tha se vendimi për këtë ndihmë ishte marr pasi Qeveria në detyrë Kosovës, kishte premtuar mbështetje për komunat dhe ndihmë për rimëkëmbje ekonomike.
“Mirëpo, pasi ka dalë vendimi dhe është ofruar lista nga Ministria e Financave, na është ndaluar që t’i përdorim mjetet për këtë qëllim dhe ne kemi vendosur tani që pagesat të bëhen nga të hyrat vetanake, të cilat bëhen gjatë muajit mars. Do të kërkojmë nga kuvendarët komunalë që të aprovohet dhe kjo pagesë për qytetarët të bëhet nga të hyrat vetanake të komunës”, tha Mujka.
Në Mitrovicën e Jugut, nga muaji nëntor deri në dhjetor të vitit të kaluar, mbi 1.000 qytetarë kanë aplikuar për këtë ndihmë.
Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës, në programin e saj për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, ka planifikuar pos tjerash edhe ndihmë apo mbështetje për komunat e Kosovës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Për komunat është ndarë shuma prej 7.900.000 euro./REL/
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj