Ekonomisti serbo-amerikan Branko Milanoviç filloi të fokusohej tek shpërndarja e pasurisë dhe diferencat e të ardhurave në fillim të viteve 1980, duke shkruar disertacionin e tij mbi këtë temë, pavarësisht se jetonte në Jugosllavinë socialiste dhe shoqërinë e saj gjoja pa klasa.
Që nga viti 1988, Milanoviç punoi për 20 vjet në Bankën Botërore, duke qenë një nga ekonomistët e saj kryesorë. Që nga viti 2014, ai jep mësim në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut. Në një intervistë për “Der Spiegel” Milanoviç thotë se pandemia e koronavirusit e ka thelluar hendekun në shpërndarjen e pasurisë. Sipas tij, ata që kanë përfituar më shumë nga krizanuk po mbajnë premtimin e tyre për të ndihmuar vendet në nevojë.
Zoti Milanoviç, vendet në zhvillim si India dhe Brazili, po vuajnë shumë nga pandemia, teksa shumë pak vaksina po mbërrijnë aktualisht në vendet e varfra. A po e zgjeron hendekun midis të pasurve dhe të varfërve pandemia e koronavirusit?
Druaj se kjo është duke ndodhur. Gjithsesi, situata mund të ndryshojë shpejt. Për shembull, në Afrikën e Jugut ku pandemia u përhap me shpejtësi,vetëm kohët e fundit situata është përmirësuar ndjeshëm.
Pabarazia globale është reduktuar gjatë dekadave të fundit, kryesisht si pasojë e rritjes së shpejtë ekonomike të Kinës. A do të vazhdojë kjo edhe pas pandemisë?
Jo, pasi Kina është tani një vend global i klasës së mesme. Nëse rritet fuqishëm, siç ka ndodhur kohët e fundit, ajo do ta shtojë dhe jo pakësojë pabarazinë globale, siç ka ndodhur gjatë 40 viteve të fundit. Njëkohësisht, vende si India,që ka të ngjarë të përjetojë 2vite rënie ekonomike të ndjeshme, po mbeten pas ekonomikisht. Përfundimi është se duhet të kemi frikë se hendeku midis vendeve të pasura dhe të varfra do të zgjerohet edhe më shumë.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Amazon dhe Google, po fitojnë miliarda dollarë në mesin e kësaj krize, teksa punonjësit në industri të tjera po humbin vendet e tyre të punës. A i ka bërë Covid-19 të pasurit më të pasur dhe të varfrit më të varfër brenda vendeve?
Jo në përgjithësi, edhe pse është ende herët për të nxjerrë përfundime të forta. Studimet e fundit tregojnë se pabarazia po bie në shumë vende perëndimore falë programeve të mëdha të ndihmës qeveritare. Nga ana tjetër, mund të vërehet se super të pasurit në botën perëndimore po i shmangen përgjegjësisë së tyre. Ata nuk i kanë përmbushur pretendimet e tyre gjatë pandemisë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Mua më kujtohet ende se si elita globale premtoi në daljet e mëdha publike si në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, se do të përdorte një pjesë të pasurisë së saj për të luftuar emergjencat. Fatkeqësisht, pak nga kjo ndihmë është parë muajt e fundit. Fjalët dhe veprimet kanë qenë larg njëra-tjetrës. Më e dukshme ka qenë apatia e SHBA-së në këtë aspekt.
Dhe të pasurit në vendet e industrializuara, janë bërë edhe më të pasur vitet e fundit…
Elita e pasur sot në Perëndim, përfiton zakonisht nga të ardhurat e larta që vijnë nga investimet, por edhe nga të ardhurat në rritje nga puna. Kjo vlen edhe për mjekët më të njohur, avokatët e vipave apo zhvilluesit e programeve kompjuterike.
Ky është një fenomen i ri. Në kapitalizmin klasik të shekujve XIX-XX, vetëm sipërmarrësit dhe kapitalistët ishin në krye të piramidës së të ardhurave. Megjithatë ndryshimi që po shohim, është një prirje afatgjatë që po përforcohet nga pandemia, si për shembull, nga lulëzimi në tregjet e bursave.
Nga ana tjetër, shtresa e mesme tradicionale ka pësuar humbje ekonomike gjatë dekadave të fundit. A do të përkeqësohet ky zhvillim?
Për këtë ka jo pak shenja. Pandemia ka treguar se njerëzit mund të punojnë praktikisht nga kudo në botë, me ndihmën e mjeteve moderne të komunikimit. Për pasojë, po shfaqet për herë të parë në shumë profesione një treg global i punës. Dhe ky është një lajm i keq për grupe të shumta profesionale në Perëndim, të cilët më parë nuk kanë pasur frikë nga konkurenca globale.
Besoni se mund të ulen pagat?
Jo vetëm kaq. Ata që jetojnë në Nju Delhi të Indisë, dhe që dërgojnë me e-mail raportet e tyre në Dyseldorf të Gjermanisë, kanë një kosto shumë më të ulët jetese sesa kolegët e tyre gjermanë. Dje kjo mund të çojë në rezultatin paradoksal që ndërsa barazia globale do të rritet, shtresa e mesme në Perëndim do të vuajë.
Si duhet të reagojnë qeveritë?
Ato mund të veprojnë për ta bërë më të lehtë që punëtorët me paga më të ulëta të rrisin qasjen në të ardhurat nga kapitali. Për shembull, përmes avantazheve fiskale apo promovimit të aksioneve të punëtorëve. Arsimimi është edhe më i rëndësishëm. Sot elitat në Perëndim po e përdorin pasurinë e tyre për t’u blerë fëmijëve të tyre qasje në shkollat dhe universitetet më të mira.
Kjo po veçon akoma më shumëse 10 për qind të më të pasurve nga pjesa tjetër e popullsisë. Ajo zvogëlon shanset e përparimit shoqëror, dhe çon në një formë të re të qeverisjes nga “fisnikëria” e parave. Unë e quaj homoplutia, sepse elita është e pasur (plutia) si nga ana financiare ashtu edhe nga kapitali njerëzor.
Në librin tuaj “Përplasja e Kapitalizmit”, ju flisni për 2 forma të kapitalizmit: kapitalizmin liberal-meritokratik amerikan, dhe kapitalizmin shtetëror të Kinës. Cili është më e përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të rritjes së pabarazisë?
Në të dyja vendet, pabarazia është rritur gjatë 20 viteve të fundit, madje në Kinë edhe më shumë se sa në SHBA. Dhe kjo kryesisht për shkak se Kina po e fillon nga një nivel më i ulët, dhe hendeku është rritur për shkak të industrializimit të shpejtë dhe urbanizimit. Por ky proces nuk është i plotë.
Ndërkohë, janë përzier elitat ekonomike dhe politike:sipërmarrësit privatë janë pasuruar shumë, por edhe anëtarësia në Partinë Komuniste është ende shumë e dobishme, veçanërisht për sipërmarrësit e pasur. Nga ana tjetër, në SHBA elita ekonomike arrin që të blejë një politikë që u shërben interesave të saj.
Në lidhje me SHBA-në unë jam pak më optimist, pasi politikanët janë dukë marrë masat e duhura. Në Kinë lufta kundër korrupsionit, ndaj të cilit qeveria është angazhuar prej disa kohësh, jep njëfarë shprese. Unë mendoj se politikanët në të dyja vendet e kuptojnë se nuk mund të rrish duarkryq përballë rritjes së pabarazisë.
Marrë me shkurtime nga Der Spiegel – Bota.al
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...
Haradinaj në Junik: Plani ynë për Kosovën Fituese – an...
Salah dëshiron të vazhdojë me Liverpoolin, por s’ka as...