Një numër gjithnjë e më i madh kompanish po shtojnë provat klinike për spërkatësit e hundës si një mënyrë për të trajtuar COVID-19.
Kompanitë bioteknike ndodhen nën trysni për të gjetur metoda alternative për të luftuar koronavirusin, në kushtet kur infeksionet po rriten, duke rikthyer kufizimet në disa qytete evropiane, dhe kur hezitimi mbi vaksinat vazhdon të jetë ende njëproblem.
Një laborator në Universitetin Queen Mary të Londrës përdoret për kërkime mbi sëmundjet më infektive, në këtë rast COVID-19.
Studiuesit kanë shpenzuar më shumë se një vit duke testuar në mënyrë të pavarur një alternativë, të krijuar nga kompania bioteknike Raphael Labs.
Kreu i kompanisë Raphael Labs, Rakesh Uppal është gjithashtu profesor i Kirurgjisë Kardiovaskulare në Barts dhe në Shkollën e Mjekësisë në Londër.
“Që virusi të hyjë në qelizë, duhet t’i nënshtrohet disa reaksioneve kimike shumë specifike. Ne kemi arritur të gjejmë një mënyrë për të manipuluar atë reaksion kimik, dhe të ndalojmë hyrjen e virusit. Nuk ka rëndësi se çfarë lloji është. E kam testuar kundër të gjitha viruseve shqetësuese, të gjitha mutacioneve shqetësuese dhe ka efikasitet të barabartë sepse është një zgjidhje me bazë kimike”.
I quajtur pHOXWELL, spërkatësi funksionon në një mënyrë krejt të ndryshme nga vaksinat. Uppal thotë se ai është më shumë si një pengesë për të marrë virusin sesa një vaksinë:
“Vaksina na lejon të gjenerojmë antitrupa në pritje të një sulmi viral. Pra, ne tashmë jemi të përgatitur paraprakisht, por në fakt, vaksinat nuk pengojnë të prekesh nga SARS-CoV-2. Siç e dini, kemi njerëz plotësisht të vaksinuar që preken nga SARS-CoV-2. Thjesht, vaksina bën që të mos ketë një gjendje serioze ndaj hyrjes virale. Spërkatësi i hundës në fakt ju ndalon ta merrni atë”.
Besimi i kompanisë vjen nga një provë klinike me 648 punonjës shëndetësorë në Indi.
Prova u krye gjatë rritjes së pikut të variantit shumë infektiv Delta gjatë prillit dhe korrikut të këtij viti (2021).
Një shishe me spërkatës është projektuar të zgjasë përafërsisht 30 ditë, me çdo aplikim që pritet të jetë efektiv nga pesë deri në gjashtë orë.
Uppal po kërkon miratim nga autoritetet rregullatore indiane dhe vende të tjera, përfshirë Vietnamin. Ai po shqyrton gjithashtu mundësinë e provave të mëtejshme.
Interesi për spërkatësit në hundë është universal. Një tjetër është spërkatësi i zhvilluar nga kompania SanOTize me qendër në Vankuver të Kanadasë.
Spërkatësi është testuar në stafin e spitalit në Surrey të Anglisë.
Pjesëmarrësja Sharron Main thotë se e gjithë familja e saj rezultoi pozitive për COVID-19, më pas ajo e kapi virusin dhe ra dakord të përdorte spërkatësin.
“Mora spërkatësin në hundë dhe menjëherë funksionoi. Simptomat u larguan dhe unë pata një dhimbje koke të tmerrshme, që dhe ajo u zhduk,” thotë ajo.
Shkencëtarët që zhvilluan spërkatësin në hundë besojnë se koronavirusi transmetohet përmes grimcave ajrore në mukozën e hundës, ku rritet gjatë një periudhe tre-ditore inkubacioni. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ata besojnë se spërkatësi do të jetë më efektiv.
Ndërsa Evropa hyn në sezonin e dimrit dhe infeksionet po rriten, ekziston një nevojë më e madhe për një alternativë më të pëlqyeshme sesa vaksinat./voa/
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare