Shqipëria ka rezultuar në një sondazh të fundit të publikuar nga Gallup, ndër shtetet më skeptike lidhur me procesin e vaksinimit kundër sëmundjes, që po merr mijëra jetë njerëzish në gjithë botën. Akoma më skeptikë dhe refuzues të vaksinës janë dhe shtetasit e Kosovës. Edhe vendet e tjera të rajonit kanë pranueshmëri të ulët të vaksinave dhe nivel të lartë të refuzimit të tyre.
Shqiptarët renditen të 11-tët në botë, që e pranojnë më pak vaksinimin për të parandaluar koronavirusin, ndërsa janë të 16-t në botë për refuzimin e lartë të vaksinave.
Të anketuarve iu bë pyetja: “Vaksinat u jepen njerëzve që të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve specifike. Nëse një vaksinë për të parandaluar koronavirusin do të ishte e disponueshme pikërisht tani dhe pa kosto, a do të ishit ju dakord që të vaksinoheshit?
Vetëm 34% e shqiptarëve janë përgjigjur “PO”, duke u renditur e 16-a, mes 20 vendeve që kanë dëshirën më të ulët për të marrë një vaksinë kundër koronavirusit dhe shumë më e ulët sesa mesatarja globale e gatishmërisë për t’u vaksinuar prej 68%.
Përqindja e pranueshmërisë është akoma më e ulët nga shtetasit e Kosovës, me 32%, e shtata më e ulët në botë.
Në listë mbizotërojnë shtetet e ish Bashkimit Sovjetik dhe ato të Europës Lindore. Dëshirën më të ulët në botë për të marrë vaksinën e kanë banorët e Kazakistanit, Gabonit, Hungarisë, Bosnjë Hercegovinës, Jordanisë, Xhamajkës. Në listë janë dhe bullgarët, malazezët, maqedonasit.
52% e shqiptarëve refuzojnë vaksinat
Të njëjtës pyetje i janë përgjigjur me “JO” rreth 52% e shqiptarëve, ndërsa normat më të larta të refuzimit në botë (e 16-a) dhe shumë më e lartë se mesatarja globale prej 29%.
Në nivele të ngjashme është dhe Maqedonia e Veriut (53%). Sërish shtetasit e Kosovës janë edhe më skeptikë, me 56% që e refuzojnë vaksinën. Rekordin në rajon e mban Bosnjë Hercegovina, me 61% të të anketuarve që i janë përgjigjur me jo pyetjes nëse do të vaksinoheshin.
Normën më të lartë të refuzimit në botë e kanë Gaboni (66%), Kameruni (65%), Hungaria (61%), Bullgaria (61%).
Rezultatet globale
Sipas Gallup, gatishmëria e njerëzve për të marrë një vaksinë për koronavirusin varionte në të gjithë botën në vitin 2020, me përqindjet që thoshin se do të merrnin një vaksinë, që ishte më e larta në Mianmar, me 96% dhe më e ulëta prej 25% në Kazakistan.
Në vitin e parë të plotë të pandemisë COVID-19, shumica e të rriturve në mbarë botën (68%) i thanë Gallup se ata do të bien dakord të vaksinohen nëse një vaksinë kundër koronavirus do të ishte në dispozicion të tyre pa ndonjë kosto.
Nepali, Nikaragua, Tailanda, Islanda, Danimarka ishin ndër shtetet e tjera me gatishmërinë më të lartë në botë për të marrë dozat e vaksinës.
Në të kundërt, shumë vende nga ish Bashkimi Sovjetik dhe Europa Lindore – përfshirë pjesën më të madhe të Ballkanit – dominojnë listën e vendeve ku njerëzit ishin më pak të gatshëm të merrnin një vaksinë koronavirus nëse do të ishte në dispozicion pa asnjë kosto.
Për shembull, më pak se gjysma e rusëve në 2018 që kishin dëgjuar për vaksinat (45%) ranë dakord se ishin të sigurta, ndërsa një 24% e konsiderueshme nuk pajtohej (një nga nivelet më të larta në botë). 37% e rusëve thanë se do të merrnin një vaksinë të koronavirusit nëse ofrohej, ndërsa 61% thanë se nuk e bënin.
Gati tre në 10 (29%) në të gjithë botën thanë se nuk do të pranonin të vaksinoheshin, dhe 3% të tjerë thanë se nuk e dinin ose refuzuan të përgjigjen; së bashku, këta përkthehen në afërsisht 1.3 miliardë të rritur që nuk ishin të gatshëm të vaksinohen në kohën e studimit, referon Gallup.
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...