Google ADS

Skandali i Hotit me komunat serbe| Çfarë sinjale tregon kjo sipas analistëve?

08:10 | 13 Nëntor 2020
V. S.

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Mirëpo kryeministri Avdullah Hoti nuk i ka përfshirë komunat me shumicë serbe në tabelën e statistikave.

Ani pse këto komuna me shumicë serbe janë pjesë e Kosovës, nuk ka as të dhëna se sa persona janë të infektuar me Covid-19, raporton arbresh.info.

Deri më tani nuk është dhënë asnjë sqarim nga Qeveria e Kosovës për këtë lëshim skandaloz, e që solli edhe reagime të shumta.

Sipas njohëseve të çështjeve politike në vend, të gjitha Qeveritë kanë dështuar në integrimin e plotë të veriut të vendit, sikur edhe qeveria Hoti.

E, analisti Bekim Kabashi thotë se, nëse Kosova dështon në shtrirjen e autoritetit edhe me vendime të tilla si kjo për parandalimin e COVID-19, atëherë kjo situatë tregon se sa e vështirë është luftimi i krimit të organizuar në atë pjesë të vendit.

“Të gjitha qeveritë kanë dështuar në integrimin e plotë të veriut të vendit. E njëjta po ndodhë edhe me qeverinë Hoti. Nëse Kosova dështon në shtrirjen e autoritetit edhe me vendime të tilla si kjo për parandalimin e përhapjes se epidemisë, tregon se sa e vështirë, për të mos thënë e pamundur është luftimi i krimit të organizuar në atë pjesë të vendit”, ka thënë Kabashi për Arbresh.info.

Ndërsa, analisti Fatmir Sheholli tha se, nëse task forca për epideminë ka bërë vlerësim për komunat me shumicë serbe e nuk i janë paraqitur opinionit, atëherë është lëshim qeveritar.

Sheholli mendon se, kryeministri Hoti duhet t’i vizitojë këto komuna dhe të dërgojë sinjalin se edhe ato janë pjesë e Kosovës.

“Nëse task forca për epideminë ka bërë vlerësim për komunat me shumicë serbe e nuk i janë paraqitur opinionit, atëherë është lëshim qeveritar. Sidoqoftë, kryeministri Hoti duhet t’i vizitojë këto komuna dhe të dërgojë sinjalin se edhe ato janë pjese e Kosovës, mos të harrojmë nga 38 komuna sa ka Kosova, 10 janë me shumice serbe prandaj i bien që 30% e komunave nuk po janë në fokus të qeverise. Nga ajo që ne si Institut për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë kemi të dhëna, në komunat veriore por edhe në Graçanicë ka raste të konfirmuara me virusin Covid 19”, pohoi ai.

Analisti Leon Duhanaj, mendon se, në komunat e veriut Kosova ka pak ndikim, pasi që nuk i respektojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës, ashtu siç edhe kanë paralajmëruar.

“Kur flasim për komunat e veriut,  duhet theksuar se aty shumë pak ka Kosova ndikim. Ata operojnë zyrtarisht në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës por, nuk është që i përfillin maksimalisht dhe, sidomos kur kanë mundësinë të ndikojnë në përçarjen e faktorit politik shqiptar, ata bëjnë lëvizje politikë, duke marrë edhe vendime që bien ndesh me politikat zyrtare të Kosovës.  Kjo është me se evidente, ashtu siç ishte paralajmërimi apo kërcënimi që ata nuk do t’i respektojnë vendimet e Qeverisë”, tha ai.

Ai thotë se, komunat serbe edhe në pranverë, përgjatë qeverisjes Kurti, i’u bashkëngjiten vendimeve të Serbisë për mbyllje.

“Megjithatë, mendoj që duhet kuptuar pozita e kryeministrit, ai nuk është që ka shumë mundësi alternative dhe, duke patur parasysh kontekstin është i shtyrë të bëjë ndonjë lëshim në mënyrë që ta tejkalojë situatën. Janë të njëjtit të cilët edhe në pranverë, përgjatë qeverisjes Kurti, i’u bashkëngjiten vendimeve të Serbisë për mbyllje. Tani, në këto kohë pandemie, pothuajse asnjë qeveri në botë, nuk ja  del të menaxhoj situatën siç do kishte qenë dëshira apo synimi i tyre”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi sot në ora 18:00.

Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët./A.Zeka/arbresh.info/

Të ngjashme