Në shkurt, shteti kinez dukej se ishte zhytur në telashe. Një virus i tmerrshëm kishte infektuar mijëra njerëz, dhe njerëzit shfrynë përmes mediave sociale zemërimin e tyre kundër autoriteteve, shumë më shpejt sesa censorët kinezë mund të fshinin në kohë komentet kritike.
Ashtu si qeveritë gjetkë, edhe Partia Komuniste Kineze (PKK) iu drejtua analogjisë emergjente për këtë krizë, Luftës së Dytë Botërore. Duke evokuar fushatën guerile të Mao Ce Dunit kundër japonezëve në vitet 1930, media shtetërore deklaroi se Kina po zhvillonte një “luftë popullore” kundër virusit.
Ngjashëm me atë luftë të hershme, konflikti i Kinës kundër koronavirusit është zhvendosur nga një tërheqje sfiduese në një shpallje të fitores. Dhe ky nuk është thjesht një bllof. Të dhënat e fundit, tregojnë se ekonomia kineze është e vetmja në botë që do të rimëkëmbet plotësisht nga pasojat e shkaktuara nga virusi.
Një rritje vjetore me 2 për qind, ndërsa rënia në 2 Amerikat ka qenë të paktën 5 për qind, eurozona ka rënë me 8 për qind, dhe Britania e Madhe me 10 për qind. Ish-ekonomisti kryesor i Bankës Botërore, Xhastin Lin, mendon se Kina është në rrugën e duhur për t’u bërë ekonomia më e madhe në botë deri në 2030.
Pekini mund të shohë tani përpara, teksa ekonomitë e tjera të mëdha po mendojnë ende se si të menaxhojnë dëmet, ndërsa po grumbullojmë borxhe të mëdha. Asgjë nga këto nuk mund të kishte ndodhur nëse Kina nuk do të përballej aq shpejt (shpesh me metoda brutale) me Covid-19.
Këtë javë, media kineze i ka bërë jehonë radhëve të gjata të njerëzve për të bërë vaksinën e re anti-virale. Aty duket se kriza ka mbaruar vërtet. Por kur bisedoj në telefon me miqtë e mi në Shangai, ata më thonë se jeta është kthyer në normalitet, pas krijimit të një sistemi gjurmimi shumë efikas (dhe tejet ndërhyrës), si dhe karantinave të rrepta.
Shtresa e mesme në Kinë, ndiqte me çudi lajmet nga Perëndimi i mbyllur, para se të shkonte në restorante, koncerte apo me pushime. Në pushimet e “Javës së Artë”, më shumë se gjysmë miliardë njerëz udhëtuan në linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë, dhe autostradat e reja të Kinës.
Në pranverë, shumë ekspertë pyetën nëse shifrat e larta të Kinës në frenimin e virusit mund të ishin jo reale. Xi Jinping, president i Kinës dhe sekretari i përgjithshëm i PKK, mund të vëzhgojë me ëndje gjendjen e vendit të tij, dhe të thotë se gjendja është shumë më mirë sesa mund të kishte pritur dikush kur filloi pandemia.
Regjimi do të jetë inkurajuar më tej nga sondazhet, që sugjerojnë vlerësime pozitive mbi performancën e qeverisë nga ana e qytetarëve kinezë. Një nga sondazhet tregon se 80 për qind e kinezëve janë të kënaqur me menaxhimin e situatës.
PKK e ka përdorur këtë krizë për të justifikuar dyfishimin e mbikëqyrjes ndaj qytetarëve. Dhe thuajse me siguri, kjo pandemi do të përdoret si pretekst për të shtypur çdo lloj disidence.
E inkurajuar nga suksesi i saj i dukshëm në kontrollimin e përhapjes së koronavirusit, Partia Komuniste Kineze, ka nisur të krijojë mënyra të reja të të menduarit mbi politikat e saj ekonomike, sidomos kur është fjala për të sfiduar haptazi Perëndimin.
Partia përdor termin “qarkullim i dyfishtë”, një fjalë e koduar për qasjen unike të Kinës
ndaj globalizimit. Kjo moto është po aq e fuqishme në synimin e saj “Amerika e Para”, apo Brexit. Kjo nënkupton faktin që Kina po synon të krijojë dy sisteme të lidhura, por të dallueshme nga njëra-tjetra.
Njëra është një ekonomi e brendshme nacionaliste, që mbështetet mbi një term tjetër të epokës së Maos, ‘zili gengsheng’ ose vetëbesim, i lidhur me axhendën “Made in China 2025”, që parashikon rikthimin në Kinë të shumë prej industrive të saj jetike.
Tjetra është angazhimi ndërkombëtar, i cili e thellon ekspansionin e Kinës, veçanërisht kur bëhet fjalë për teknologjinë. Kina po investon shumë mbi kërkimin dhe zhvillimin shkencor dhe teknologjik. Në fakt, Covid-19 i ka dhënë një shtysë në disa fusha shkencës kineze, nga bioteknologjia tek inteligjenca artificiale (përfshirë përdorimin e dronëve për të bërë blerje përmes internetit).
Dhe kjo, në një kohë kur financimi për kërkimet shkencore në Perëndim, mund të jetë i rrezikuar për shkak të buxheteve të kufizuara kombëtare. Jo shumë kohë më parë, dukej sikur Nisma e Brezit dhe Rrugës e Xi Jingpintu – e krijuar për të investuar miliarda dollarë
në infrastrukturë në një territor të madh nga Evropa Perëndimore në Azinë Juglindore përmes Afrikës Lindore – mund të mos përputhej me ambiciet e saj madhështore.
A mos e kishte tepruar Pekini? Por pandemia e ka ndryshuar ekuilibrin e tregtisë globale, në mënyra të tilla që mund ta bëjnë tani Kinën të duket si një partnere tërheqëse për vendet në zhvillim. Shanset e Kinës janë më se të qarta.
Më herët, bota perëndimore kishte mundësinë të ndryshonte perspektivën e e investimeve bujare për vende si Pakistani ose Mianmar, nëpërmjet institucioneve të tilla si Banka Botërore, pasi ato janë të lidhura me normat e qeverisjes së mirë dhe demokracisë.
Po në një botë post-Covid, në të cilën do të ketë më pak tregti, më pak udhëtime, më pak globalizëm, si mund të vazhdojë Perëndimi të ndikojë mbi vende të tilla?
Sidoqoftë, në terren ka më pak fuqi financiare të Pekinit sesa mund të duket në pamje të parë. Rreth 90 për qind e financimit kinez për Nismën e Brezit dhe Rrugës, nuk janë investime të huaja direkte, por hua nga dy bankat kryesore kineze dhe institucione të tjera.
Në Kombet e Bashkuara, ku ndikimi kinez po rritet në institucione të ndryshme si Organizata Botërore e Shëndetësisë, apo Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara janë ende kontributorja financiare më e madhe.
Por edhe perceptimet kanë rëndësi e tyre. Tani për tani, Xi ka një narrativë të fuqishme të cilën do që ta tregojë:në lidhje me stabilitetin e brendshëm autoritar, strategjinë efektive mbi shëndetin publik dhe rritjen ekonomike. Është një narrativë që ai dëshiron ta përdorë si një lloj kontrasti ndaj kaosit të dukshëm që karakterizon sot botën demokratike.
Por nga ana tjetër Kina e Xi-së ka përfunduar në një pozitë të çuditshme. Shifrat mbresëlënëse ekonomike fshehin një problem afatgjatë, siç ka argumentuar edhe ekonomisti Xhorxh Manjus, atë të një ekonomie të paekuilibruar të karakterizuar nga nën-konsumi, një sufiçit tregtar në rritje, dhe nga një borxh që vazhdon të rritet ende me rritme të shpejta.
Ndaj ideja e “qarkullimit të dyfishtë”, sipas së cilës Kina mund të ndajë ekonomitë e saj të brendshme dhe atë ndërkombëtare, është problematike në planin afatgjatë. Reformat e mëdha strukturore, do të jenë ende të nevojshme. Ndërkohë, ka probleme të tjera të mprehta si ndotja, ndryshimi i klimës dhe rënia demografike. Duke nisur nga vitit 2029, do të ketë çdo vit 5 milionë kinezë më pak, dhe popullsia do të plaket me shpejtësi.
Edhe statusi më i lartë global i Kinës, krijon dobësi të reja për të. Pekini duhet të pajtohet me realitetin:shtypja e ujgurëve, dhe kufizimi i lirive në Hong Kong, nuk janë thjesht çështje të brendshme për një vend që dëshiron të arrijë një ndikim në përmasa globale, përmes “një komuniteti me fat të përbashkët”, pasi rezultati është se bizneset dhe investimet kineze lidhen negativisht me vlerat autoritare të atdheut të tyre.
Por pengesa e vetme më e madhe për pushtetin e PKK, nuk qëndron në Pekin por në Uashington. Një mandat i dytë i Trump, paniku ekonomik i shtuar për shkak të virusit, dhe më shumë kaos në rendin global liberal, mund të përcjellë më tej mesazhin e Pekinit për sukses ekonomik dhe qeveri autoritare.
Një administratë e Bajdenit, mund ta ketë më të lehtë të bëjë bashkë forcat skeptike ndaj Kinës. Frika e një administrate të re amerikane, mund të jetë e fundit nga metaforat e luftës që vijnë nga Pekini. Në ditën e republikës në gusht, Kina e theksoi internacionalizmin e saj kur përkujtoi rolin e saj në themelimin e OKB-së në vitin 1945.
Por këtë vjeshtë, 70 vjetori i shpërthimit të Luftës Koreane në vitin 1950, ka dominuar mediat zyrtare të Kinës. Në guhën kineze, ky konflikt njihet si Kangmei – lufta e “Rezistencës ndaj Amerikës”. Në mendjen e Pekinit, SHBA është e përgjunjur, por jo e mundur. Amerika mbetet sfida e vetme e vërtetë për të ardhmen globale të Kinës.
*Rana Mitter, është profesore e historisë në Universitetin e Oksfordit, dhe autore e librit “Lufta e mirë e Kinës:Si Lufta e Dytë Botërore, po formon një nacionalizëm të ri”./abcnews.al/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...