Google ADS

Shqipëri, përhapja e COVID 19 zbret drejt niveleve minimale

00:49 | 25 Maj 2021
Trina Galanxhi

Në Shqipëri rastet e reja me COVID 19, numri i viktimave dhe shtrimet në spitale vijojnë të ulen drejt kuotave minimale. Edhe gjatë javës së fundit (18 Maj – 24 Maj), sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, u vu re dukshëm e njëjta tendecë që ka nisur që prej 14 javësh, duke sjellë një reduktim drastik të rasteve aktive.

Totali i të prekurve rishtazi në javën e fundit, zbriti në nivelin e 178 të infektuarish, ose 36.2 përqind pak se java pararendëse (11 Maj-17 Maj). Kuota më e ulët u rregjistrua të hënën, kur pati vetëm 6 raste të reja, aq sa në ditët e parë të shfaqjes së pandemisë, të kufizuara vetëm në 4 nga 61 Bashkitë e vendit: 2 raste në Shkodër e Mat, dhe nga 1 rast në Mirditë e Berat.

Ndërsa numri i të prekurve po bie në nivele minimale, testimet mbeten në kuota të larta. Giatë javës së fundit u kryen 20.874 tamponë, ose një mesatare ditore per 2.982 tamponësh në ditë. Si rrjedhojë, pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe numrit të testimeve) ra në nivelet më të ulta ndonjëherë, duke zbritur në 0.8 përqind, ose 0.6 pikë përqindje më pak, krahasuar me javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Ulje të ndjeshme pësuan dhe vdekjet. Totali javor zbriti në 10 viktima. Në 24 orët e fundit vetëm një person, një 66 vjeçar nga Korça humbi jetën. Ndërkaq dhe shtrimet në spitale kanë rënë. Gjatë gjithë javës nuk ka patur asnjë të intubuar, ndërsa deri pasditen e së hënës kishte 57 të shtruar nga të cilët 7 në terapi intensive.

Një rënie shumë të fortë pësoi numri i personave ende aktivë. Nga 4.178 që rezultonin të hënën e kaluar 17 Maj, këtë të hënë, sipas të dhënave zyrtare vetëm 944 persona ishin ende të prekur. Më shumë se gjysma e tyre janë në Tiranë. Kryeqyteti pasohet nga Korça me 108 të infektuar aktivë, ndërsa në qarqet e tjera bëhet fjalë për kuota poshtë 100-ëshes.

Shqipëria po vijon me vaksinimin. Me mbërritjen, mbrëmjen e së hënës së mbi 14 mijë dozave të tjera Pfizer, totali i vaksinave të ardhura në vend është mbi 847 mijë doza, nga të cilat janë përdorur afro 720 mijë. Ndërsa mbi 240 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Që nga fillimi i pandemisë, janë rregjistriar 132.215 raste positive, dhe 2.445 humbje jete.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme