Shpresë për vaksinën anti-Covid, testi i Moderna-s jep efekt tek majmunët, rrit imunitetin

23:35 | 30 Korrik 2020
Trina Galanxhi

Vaksina anti-covid që po zhvillohet nga kompana amerikane “Moderna” jep shpresë për gjetjen e kure kundër koronavirusit. Vaksina ka dhënë rezultate shumë inkurajuese tek majmunët, duke shkaktuar një reagim të fortë imunitar në parandalimin e Covid 19. Tanimë pritet të nisë faza e tretë e testimit në 30.000 njerëz.

Vaksina e eksperimentale kundër Covid 19 e kompanisë amerikane “Moderna” duket se ka dhënë efekt pas testimit tek majmunët.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Neqë England Journal of Medicine”, vaksina shkaktoi një reagim të fortë imunitar dhe parandaloi koronavirusin të riprodhohet në hundë dhe në mushkëritë e 16 majmunëve.

“Kjo është hera e parë që një vaksinë eksperimentale COVID-19 e testuar në primatët jo-njerëzorë ka kontroll të tillë të shpejtë viral në rrugët e sipërme ajrore”, tha Instituti Kombëtar për Shëndetin, i cili ishte pjesë e grupit që zhvilloi vaksinën.

Kafshët prodhuan nivele të larta antitrupash neutralizuese që sulmojnë një pjesë të virusit SARS-CoV-2.

Veçanërisht, majmunët që morën të dy nivelet e dozave, 10 mikrogramë dhe 100 mikrogramë, prodhuan antitrupa në nivele më të larta se ato që gjenden te njerëzit që janë rikuperuar nga COVID-19.

Studiuesit thanë se vaksina gjithashtu shkaktoi prodhimin e një qelize imune të njohur si qeliza T që mund të ketë ndihmuar në rritjen e përgjigjes së përgjithshme.

Mëgjithatë zbulimet nuk garantojnë që vaksina do të ketë të njëjtin efekt tek njerëzit, por rezultatet konsiderohen inkurajuese.

Faza e tretë e testimit në 30.000 njerëz pritet të përcaktojë efektivitetin dhe sigurinë e vaksinës.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimit, prodhimi i vaksinës anti-Covid pritet të fillojë në muajin nëntor ose dhjetor.

Për të ndihmuar në financimin e zhvillimit të vaksinës, qeveria amerikane ka akorduar një fond prej 955 milion dollarësh./gazetaere/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme