Institucionet Shëndetësore në Maqedoninë e Veriut po trajtojnë me kujdes personat e infektuar me koronavirusin e ri, nëse ndonjë prej tyre bart variantin e ri të virusit britanik, pas konfirmimit të një rasti në klinikën private “Zhan Mitrev”, në Shkup.
“Nuk ka hapësirë për panik pasi gjendjen po e ndjekim me shumë kujdes. Ne, edhe deri tani kemi në fuqi masa që vërtet po japin rezultate. Është e vërtetë se ky lloj i virusit është më përhapës në masën e 70 për qind, bazuar në analizat e bëra në Britani të Madhe. Gjithashtu, më duhet të them edhe këtë fakt, se ky lloj (virusi) apo sëmundje që manifestohet, është më e lehtë nga ajo që e kishim deri më tani, që është edhe një sinjal serioz se duhet të respektohen masat. Ne po bëjmë gjithçka lidhur me rastin e paraqitur sa i përket kontakteve që mund të ketë pasur personi i infektuar që të parandalojmë mundësinë e përhapjes. Paraqitja e këtij lloji të virusit nuk duhet të na befasojë duke marrë parasysh faktin se tani atë e kemi në shumë vende tjera”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Varianti i ri i koronavirusit është zbuluar në laboratorin privat të klinikës “Zhan Mitrev” në Shkup te një burrë 46 vjeç, i cili tashmë është shëruar. Virusi u zbulua në spital gjatë analizës së mostrave që ishin marrë nga pacienti për tri herë me radhë që nga muaji dhjetor.
Drejtuesit e Institutit për Imunologji pranë Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Universitetin e Shkupit, thonë se paraqitja e variantit të ri të virusit nuk do ta ndryshojë pasqyrën epidemiologjike në vend dhe kjo, siç thonë, dëshmohet me faktin se nuk kemi përkeqësim të gjendjes edhe pse personi është i infektuar që nga dhjetori i kaluar.
“Konsideroj se sërish disa njerëz do të kalojnë pa simptoma, disa të tjerë do të kenë një proces më të gjatë të shërimit apo simptoma më të rënda të sëmundjes. Pra, fakti se ai do të përhapet më shpejt në mesin e popullatës, nuk do të thotë se do të kemi persona më shumë të sëmurë. Mund të kemi numër të lartë, por jo edhe përkeqësim të gjendjes meqë ne edhe tani jemi dëshmitarë se që nga fundi i dhjetorit të kaluar shifrat janë në rënie e sipër”, ka deklaruar mjeku specialist Aleksandar Petliçkovski nga Instituti për Imunologji.
Lidhur me paraqitjen e variantit të ri të koronavirusit britanik ka reaguar opozita maqedonase duke akuzuar qeverinë për, siç thotë, dështim të plotë në përballje me pandeminë.
Nga VMRO DPMNE-ja thonë se ishte pikërisht ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, i cili më 22 janar kishte deklaruar se në Maqedoninë e Veriut nuk ka variant të ri të koronavirusit, që tani të zbulohet se ky virus ka ekzistuar në vend që nga 29 dhjetori.
“Ministri dhe kryeministri nuk e dinë se cilat lloje të viruseve ekzistojnë tek ne. Ndërsa të gjitha vendet në botë janë në garë për më shumë vaksina, tek ne ky proces thuajse fare nuk ka nisur. Qytetarët çdo ditë e më shumë po binden se gjitha premtimet e qeverisë janë gënjeshtra, se do të ketë vaksina në fund të dhjetorit, në fillim të janarit dhe më pas në shkurt”.
“Pra, ne nuk kemi ende ‘armën’ kryesore në luftën kundër pandemisë, vaksinat, por tani më kemi variantin e ri britanik të virusit. Qytetarët do ta paguajnë shtrenjtë këtë dështim të qeverisë, disa edhe me jetën e tyre. Prandaj, duhet të ketë përgjegjësi”, ka deklaruar Olga Lozanovska, deputete e VMRO DPMNE-së.
Qeveria, ndërkohë, në seancën e fundit të mërkurën ka miratuar vendimin për blerjen e 200 mijë vaksinave kineze, ndërsa paraprakisht ka porositur edhe më shumë se 800 mijë të tjera përmes mekanizmit COVAX, por që akoma nuk ka marrë asnjë dozë.
Maqedonia e Veriut deri tani ka dështuar t’i pranojë edhe vaksinat që i ka falur Serbia sikur edhe ato të premtuara nga Bullgaria./REL
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...