Google ADS

Shehu: Varianti Delta i rrezikshëm, vaksinimi e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur

00:09 | 7 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Hulumtuesi shkencor në universitetin amerikan “Johns Hopkins”, Arbër Shehu, ka thënë se varianti Delta po përhapet me shpejtësi në SHBA ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës.

Ai, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, deklaroi se e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga ky variant i rrezikshëm i COVID-19 është vaksinimi me vaksinat që janë në dispozicion.

“Hulumtimet e fundit kanë treguar që vaksinat që janë në dispozicion fatmirësisht janë efektive ndaj variantit Delta. Nëse qytetarët e marrin vaksinën atëherë gjasat që të mbrohen nga ky variant janë shumë të larta. E vetmja alternativë në këtë rast është vaksinimi që ka treguar efektivitet shumë të lartë edhe ndaj këtij variant”.

Por, vaksinimi kundër COVID-19 a e parandalon infektimin nga varianti Delta apo personat që infektohen me këtë variant do ta kalojnë atë më lehtë?

“Është një pyetje e komplikuar. Në shumicën e rasteve hulumtimet janë bërë që vaksinimi e parandalon hospitalizimin, vdekjen dhe në të njëjtën kohë parandalon transmetimin. Nëse do të kemi numër më të madh të të vaksinuarve në gjithë globin, atëherë do t’i japim mundësi më pak virusit që të pësojë mutacion. Përveç variantit Delta, edhe varianti Lambda po përhapet në pjesën e Amerikës së Jugut kështu që nëse vaksinohemi në mënyrë indirekte e parandalojmë edhe përhapjen e infeksionit dhe jo vetëm hospitalizimin”.

Hulumtuesi shkencor në universitetin e njohur amerikan ka treguar edhe se sa i rrezikshëm është varianti Delta i COVID-19 i cili po përhapet lehtë.

“Ende janë duke u mbledhur evidenca. Sipas të dhënave të fundit tregohet se shenjat klinike janë të njëjta por shkalla e infeksionit është 2.5 herë më e madhe. Një studim i fundit tregon se sasia virale te Delta është rreth 1000 herë më e madhe sesa varianti Alfa. Nëse e krahasojmë me variantin Alfa, Delta prek 2,5 herë më shumë pacientët e pavksinuar sesa që i prek varianti Alfa”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme