Shehu për dozën e tretë të vaksinës: S’duhet të mendohet dy herë që të merret

00:21 | 28 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Shkencëtari kosovar, i cili është pjesë e institutit “Johns Hopkins”, Arbër Shehu, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka folur për situatën epidemiologjike në Kosovë, por edhe në botë.

Ai fillimisht foli për variantin e ri të COVID-19, Omicron, për të cilin tha se deri më tani nuk po tregohet shumë agresiv.

“Duket se deri më tani varianti i COVID-19, Omicron, nuk po tregohet shumë agresiv, por po tregohet më lehtë i përhapshëm. Më i përhapshëm sesa varianti Delta. Ne nuk e dimë ende se sa do të jetë agresiv, shpresojmë të mos jetë aq agresiv sa varianti Delta”.

“Nuk duhet të veprojmë me panik dhe të përcillen rekomandimet e ministrisë dhe IKSHPK-së. Gjithashtu njerëzit duhet ta kuptojnë se efekti i vaksinës ndryshon në varësi të individit. Individët që e dinë se imuniteti i tyre është më i dobësuar, duhet të kenë kujdes më të shtuar, të mos qëndrojnë në vende ku ka të grumbulluar shumë njerëz”, u shpreh ai.

Shehu, gjithashtu foli edhe për dozën e tretë të vaksinës, e cila, sipas tij, është shumë e rëndësishme që të merret, përcjell Klankosova.tv.

“Duhet të merret doza e tretë e vaksinës, sidomos ata të moshës së shtyrë. Për t’u mbrojtur nga virusi, duhet të merret doza e tretë. Nuk duhet të mendojnë dy herë, kjo parandalon rritjen e rasteve të reja me COVID-19. Deri më tani benefitet e marrjes së dy dozave të vaksinës antiCOVID kanë qenë të mëdha, prandaj ka filluar të jepet edhe e treta. Pra, e rëndësishme është që të merret doza e tretë e kësaj vaksinë”, tha Shehu.

Ai tha se vaksinat antiCOVID, deri më tani, nuk kanë treguar ndonjë efekt negativ.

“Vaksinat janë efektive dhe të sigurta. Deri më tani nuk kanë treguar ndonjë efekt negativ në marrjen e tri dozave të vaksinës. Përmbajtja e tyre është e njohur dhe secili qytetar mund t’i pyes ekspertët shëndetësorë dhe të informohen nga ta”, tha ai.

Shkencëtari kosovar potencoi se individët, të cilët e kanë kaluar COVID-in, mund të kenë probleme me kujtesën.

“Hulumtimi i fundit tregoi se jo vetëm zemra dhe mushkëritë preken nga COVID-19, por i tërë organizmi preket nga ky virus, në të njëjtën kohë edhe harresa, por duhet të priten hulumtimet e radhës që të dimë se nga çka saktësisht shkaktohet kjo gjë. Pra, individët, të cilët kanë kaluar COVID-in, mund të kenë probleme me kujtesën”, tha ai.

Tutje, Shehu u shpreh se vaksinat kundër virusit COVID-19 kanë treguar një efektivitet shumë të mirë dhe, sipas tij, lirshëm mund të bëhet kombinimi i dy vaksinave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme