Rritet numri i të infektuarve në Berat, pas ekonomistes, pozitivë për Covid-19 dhe dy punonjës të Ujësjellësit

11:03 | 13 Maj 2020
Arbresh.info

Pas konfirmimit “pozitiv” me Covid-19 të një 36-vjeçareje nga Berati, dy raste të tjera kanë rezultuar pozitiv me virusin vdekjeprurës.

Mjekët epidemiologë bënë në mënyrë emergjente tamponët në 20 punonjësit e Drejtorisë së Sh.A. Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, ku pacientja e infektuar me koronavirus punonte si Shefe e Financës. Po kështu, tamponet iu morën e dhe familjarëve të saj në fshatin Pobrat në Urë-Vajgurore, ku 36-vjeçarja shkonte shpesh për të vizituar prindërit e saj.

Burimet zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Berat komfirmojnë se nga 20 testimet e kryera në punonjësit e Ujësjellësit të Beratit vetëm dy prej tyre kanë rezultuar “pozitivë”, një person i gjinisë mashkull 56-vjeç dhe një person e gjinisë femër 44 vjeçe. Po të njëjtat burime konfirmojnë se tamponët e kryer dy prindërve të saj në fshatin Pobrat të Urës-Vajgurore dhe vajzës së vogël kanë rezultuar “negativë”.

Pas hetimit të personave të kontaktit, ditën e djeshme iu janë kryer tamponët edhe 5 personave të tjerë që shoqëroheshin me 36-vjeçaren dhe që kanë rezultuar negativë.

Pas mbërritjes ditën e djeshme të rezultatit “pozitiv” me Covid-19 të 36-vjeçares, mjekët epidemiologë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat filluan hetimin e kontakteve të saj, duke filluar nga familjarët e saj dhe kolegët e punës në Ujësjellësin e Beratit, të cilët iu nënshtruan të gjithë testimit. Po kështu, mjekët epidemiologë po vijojnë me hetimin e rasteve të kontaktit të dy punonjësve të tjerë të Ujësjellësit që rezultuan edhe ata “pozitivë”.

Ekonomistja e Ujësjellësit jeton bashkë me vajzën në një pallat në lagjen “10 Korriku” në Berat, ndërkohë pas konfirmimit të rastit, bashkia e Beratit dezinfektoi banesën e saj dhe zonën përreth.

Ndërkohë që u krye dezinfektimi edhe në çdo zyrë të Drejtorisë së Sh.A. Ujësjellës-Kanalizime Berat. Po kështu, punonjësit e bashkisë kanë kryer pasditen e djeshme edhe dezinfektimin e banesës së prindërve dhe vëllezërve të 36-vjeçares në fshatin Pobrat, ku ajo kishte shkuar shpesh për vizitë./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme