Rrëfimi i infermieres së Infektivës që nuk e ka takuar familjen që tre muaj

00:50 | 13 Maj 2020
Trina Galanxhi

12 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve. Por, dita e tyre ata i gjeti në punë duke luftuar me pandeminë Covid-19.

Arbërore Mërlaku që është infermiere në Klinikën Infektive në QKUK tash e pesë vjet ka treguar se sa e vështirë ka qenë të punojë këto ditë duke qenë në vijën e parë të luftës me koronavirusin.

“Roli i infermierit vlerësohet lart në sistemin shëndetësor, sepse ka për qëllim që të mbrojë shëndetin, të kryejë punën me nder, humanizëm dhe profesionalizëm. Ka qenë vështirë për shkak se volumi i i punës gjatë kësaj kohe ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe dua të falënderoj vullnetarët dhe infermierët e klinikave të tjera që janë bashkangjitur për mposhtjen e këtij virusi”.

Infermierja e Klinikës Infektive ka rrëfyer në Edicionin Special në Klan Kosova se nuk e ka takuar familjen e saj tash e tre muaj, për shkak të frikës se mund t’i rrezikojë ata.

“I kam marrë të gjitha masat dhe kam qenë në vetizolim. Që tre muaj nuk e kam takuar familjen – që nga shfaqja e rastit të parë me virus në Kosovë – për shkak që kam dashur ta shmangë familjen, farefisin dhe miqtë që të mos përcjellë ndonjë rrezik të mundshëm te ta”.

Ajo ka treguar se puna në Klinikën Infektive ka vazhduar me orarin e rregullt 12-orësh.

“Kemi punuar me orar të rregullt që është 12 orë, për shkak se më shumë orë do të ishte më shumë lodhje për shkak të volumit të madh të punës, më shumë rrezik dhe stres. Kemi vazhduar me orarin e rregullt – 12 orë ditën dhe 12 orë në ndërrimin e natës”.

Mërlaku ka thënë se profesioni që ajo ushtron nuk vlerësohet sa duhet në Kosovë.

“Profesioni i infermierit është i diskriminuar duke filluar nga nivelizimi i pagave, pastaj jemi të diskriminuar që 20 vjet edhe për koeficientin apo shkollimin që ne e kemi superior apo përvojën e punës”.

“Nuk është luftuar mjaftueshëm për ne infermierët që të arrijmë nivelizimin e duhur të koeficientit. Ne infermierët jemi shtylla në sektorin shëndetësor dhe nuk e kemi merituar nivelizimin e pagave që e kemi”./klankosova/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme