Reshitaj: Kam kërkuar që në ligj të futet edhe blerja e vaksinave

00:36 | 8 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka thënë se ka kërkuar që në Ligjin për luftimin e pandemisë të futet edhe blerja e vaksinave kundër COVID-19.

Reshitaj thotë se që nga fillimi i pandemisë janë bërë politika të gabuara me menaxhim, derisa shton se fokusi do të duhej të jetë në rritjen e kapaciteteve për ta përballuar dhe parandaluar virusin.

“Faktikisht këto janë politikat e gabuara që janë bërë që nga fillimi, për shkak se është dashtë të menaxhohet dhe të punohet më shumë në rritjen e kapaciteteve dhe rritjen e mundësive për testime. Fokusimi i investimit është shumë me rëndësi në këtë kohë, sepse nëse ne fokusohemi në rritjen e numrit të testimeve, aty i fokusojmë mundësitë tona dhe lëmë diçka tjetër që mund të presë, është sukses. Nëse arrijmë të marim informata profesionale që në vjeshtë ose dimër ka mundësi të kemi përkeqësim të situatës dhe çka na duhet, na duhet rritja e numrit të respiratorëve, oksigjeno-terapi, barnat, atëherë do të fokusohemi që buxhetin që e kemi ta ndajmë dhe ta ruajmë për këtë pjesë. Ose për vaksinat, kam kërkuar që edhe brenda këtij ligji të cilin po e përkrahim, që të ketë hapësirë që nëse arrin të dalë një vaksinë që ne të kemi kapacitet dhe mundësi me e marrë. Është shumë me rëndësi që ne ta kemi vaksinën për të gjithë qytetarët dhe duhet që nga tani ta planifikojmë sepse kur bëhet vonë është shumë problem”, tha Reshitaj në Interaktiv.

Për mospërfshirjen e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Reshitaj vë në faj politikën, për të cilën thotë se ka penguar anëtarësimin e Kosovës.

“E kam kuptuar me të marrë mandatin në komision, kam kërkuar informata pse si Kosovë nuk jemi pjesë e OBSH-së. Kam bashkëpunuar edhe si profesioniste shëndetësore dhe kam qenë në Uashington, në degën e OBSH-së dhe nuk e kuptoj si arrihet që probleme politike, pengesa politike, deri në këtë nivel të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në OBSH”, tha ajo./ktv/

Të ngjashme