“Rasti i shqiptares me mutacionin e Covid nuk ekziston”, flet ministrja Ogerta Manastirliu

22:35 | 10 Shkurt 2021
Arbresh.info

Disa ditë më parë në mediat gjermane u raportua se një shqiptare, e cila kishte hyrë në Gjermani nëpërmjet Rinasit, kishte rezultuar me mutacionin e ri të Covid. Por këtë të mërkurë, ministrja Ogerta Manastirliu, mohoi që ky rast të ketë ekzistuar.

Ajo u shpreh se nga informacionet e marra nga Instituti Robert Koch në Gjermani nuk ka të dhëna zyrtare që një shqiptare të ketë qenë e infektuar me mutacionin e ri. Ministrja e Shëndetësisë tha ndër të tjera se përveç virusit po luftohet edhe me infodeminë.

“Më lejoni të them diçka. Në fakt ne jemi duke bërë dy luftëra paralel, po luftojmë me virusin, dhe jemi duke luftuar me infodeminë. Rasti që ka dalë në një media gjermane dhe më pas është dhënë në mediat tona në një konfirmim zyrtar që kemi marrë nga instituti Robert Koch më të cilin ISHP është në një lidhje periodike nuk ka pasur asnjë të dhënë zyrtare që ky rast të ketë ekzistuar. Nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare nga instituti Robert Koch që ky rast të ekzistojë”, tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se një nga arsyet që bëri ekspertët që të forconin masat ishte edhe dyshimi i arsyeshëm që në Shqipëri të kenë hyrë variantet e reja të Covid.

“Jo, kemi dyshime të arsyeshme nga laboratori i virologjisë i ISHP-së që në Shqipëri ka probabilitet të qarkullojnë këto variante. Kemi dyshime të arsyeshme për shkak të sinjaleve laboratorike po ashtu lidhur me prekjen e fashës së grupmoshave të reja gjatë kësaj periudhe. Janë një seri situatash që na kanë çuar në këtë vendimmarrje”, tha Manastirliu./tvklan.al

Të ngjashme