Google ADS

Raporti i BE-së: Gratë vuajnë më shumë nga efektet e pandemisë së koronavirusit

23:30 | 5 Mars 2021
Trina Galanxhi

Raporti vjetor i Bashkimit Europian për barazinë gjinore thekson se gratë në BE janë më të prekura nga pandemia e koronavirusit, sepse ato përbëjne shumicën dërrmuese të punëtorëve shëndetësore dhe për shkak të rritjes së dhunës familjare ndaj grave në këtë periudhë.

Në raportin e BE-së thuhet se rreziqet shëndetësore për gratë janë rritur, sikruse edhe ngarkesa e punës dhe sfidat e ekuilibrit punë-jetë, gjithashtu gratë morrën përgjegjësi më të mëdha në kohën e izolimit për shkak të Covid-19, shkruan Reuters, transmeton portal arbresh.info

“Pandemia Covid-19 ka pasur një ndikim të madh në jetën e grave. Ka tashmë prova të mjaftueshme që arritjet e fituara me vështirësi të viteve të fundit janë përmbysur dhe përparimi në të drejtat e grave është e vështirë të arrihet, por humbet lehtësisht”, thuhet në raport.

BE thekson se pandemia ka ndikuar negativisht në sigurinë e grave dhe se një rritje e dhunës në familje u regjistrua në Francë, Lituani, Irlandë dhe Spanjë gjatë mbylljes së parë në pranverën e vitit 2020.

Është zbuluar se gratë kryejnë më shumë punë sesa burrat në të cilat kërkohet kontakt personal dhe për këtë arsye preken më shumë nga kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Përfaqësimi i tepërt i grave në sektorë dhe profesione me pagë më të ulët, të tilla si hotelieria, shërbimet me pakicë ose shërbimet personale, i bën ato veçanërisht të prekshme në tregjet e punës që kanë rrezikshmëri më të madhe nga kriza e pandemisë”, thuhet tutje në raport.

Reuters raporton se raporti thekson se punësimi i grave në BE ra pak më shumë sesa punësimi i burrave gjatë periudhës së hershme të pandemisë dhe se gratë kanë pasur më shumë vështirësi në gjetjen e një pune të re që nga ajo kohë.

Kjo, sipas raportit, mund të çojë në pensione më të ulëta për gratë dhe në një rritje të hendekut gjinor dhe pabarazi të tjera në dekadat e ardhshme./arbresh.info/

Të ngjashme