Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ende nuk filluar shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili në Kuvendin e Kosovës është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) thonë se “kostoja e zbatimit të këtij ligji nuk është vlerësuar nga propozuesi sipas procedurave në fuqi dhe si rrjedhojë edhe është zbatuar vetëm pjesërisht për shkak të kostos së lartë buxhetore të pambuluar me buxhetin e shtetit”.
“Ligji për rimëkëmbje ekonomike është duke u shqyrtuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve duke marrë parasysh edhe rrethanat e reja. Plani për rimëkëmbje ekonomike nga Qeveria Kurti do të publikohet kur të kalohet gjendja emergjente”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie.
Por, kur pritet të fillojë shpërndarja e mjeteve të përfshira në ligj, për sektorë të ndryshëm, zyrtarë të kësaj ministrie, deri në momentin e publikimit e këtij teksti, nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
Në bazë të ligjit, për sektorin privat parashihet subvencionim i tri pagave për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës, subvencionim të eksportit për prodhuesit vendorë, stoqeve të qumështit, gastronomisë, mbështetje për ndërmarrësi dhe mjete për Fondin Kosovarë për Garanci të Kredive.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, konsideron se ministri aktual, Hekuran Murati ka mundësi të vazhdojë shpërndarjen e fondeve për sektorë të caktuar. Ajo tregon se gjatë kohës sa ka qenë në ministri, është formuar një grup në nivel institucional, që ka qenë duke përgatitur kriteret për kompensimin e pagave për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike thuhet se nga ana e buxhetit të Republikës se Kosovës paguhen pagat për punonjësit e sektorit privat për periudhën tetor-dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19, janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtë se tre muaj. Shuma e pagesës për këta punëtorë është 300 euro për një muaj.
“Ky grup ka qenë duke punuar dhe kanë qenë mjetet e ndara. Mjete të ndara ka pasur për sektorë të ndryshëm. Janë pesë milionë euro të ndara që të lëshohen nën ombrellën e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Pjesa dërmuese është e buxhetuar dhe i ka mjetet e ndara. Unë besoj se në këtë periudhë ka mjete në buxhetin e Kosovës për t’i dalë në ndihmë disa qytetarëve dhe bizneseve”, tha Bajrami.
Ministria e Financave, në kohën që është udhëhequr nga Hykmete Bajrami ka ndarë rreth 100 milionë euro nga ky ligj, por vetëm rreth 30 milionë euro janë shpenzuar për sektorin privat, kurse pjesa tjetër për sistemin e shëndetësisë, skema sociale, arsim dhe kulturë.
Një nga sektorët që vlerësohet se është dëmtuar më së shumti nga masat e qeverisë për parandalimin e koronavirusit, është sektori i gastronomisë. Për këtë sektor janë ndarë tre milionë euro, por të cilat ende nuk janë shpërndarë.
Edhe pse kjo vlerë është e pamjaftueshme karshi humbjeve të shkaktuara nga pandemia, Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, tha qeveria po neglizhon zbatimin e ligjit.
Sipas një llogarie të kësaj ode, nga tre milionë euro, të ndara për këtë sektor, mund të përfitojnë nga 20 deri në 170 euro, pasi sipas tij, në Kosovë operojnë rreth 20 mijë biznese të tilla. Madje, Sogojeva thotë se në këtë sektor ka biznese që 500 ditë fare nuk kanë punuar, siç janë hotelet dhe sallat e dasmave.
“Kjo është një neglizhencë dhe nuk po shohim ndonjë risi as te kjo qeveri. Kjo qeveri duhet të gjejë një zgjidhje ose duhet të hyjë në kredi, që të rrisë vlerën e mjeteve ose të shpërndajë ato mjete për ato biznese që nuk kanë punuar fare. Është mëkat, mbi 500 ditë mos të punohet fare”, tha ai.
Përveç mjeteve të ndara në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, sektori i gastronomisë po kërkon nga qeveria ndihmë financiare për masat e fundit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, që kanë qenë në fuqi deri më 18 prill.
Në bazë të këtyre masave nga data 7 deri më 18 prill, qeveria kishte pezulluar aktiviteteve në shërbimet e gastronomisë, përveç shërbimeve ‘merr me vete’ dhe atyre me porosi.
Sidoqoftë, deri më tani nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike, për sektorin privat janë ndarë 30 milionë euro. Nga kjo vlerë, gjashtë milionë e gjysmë janë ndarë për të vetëpunësuarit, një milion për gratë në ekonomi dhe një milion e gjysmë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë dhe tetë milionë për subvencionim të tarifës për Burime të Ripërtërishme të Energjisë./REL/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...