Gjatë kohës së pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, janë mbyllur 761 biznese të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë në Kosovë.
Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi.
Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.
Gjokaj: U mbyllëm për t’u hapur, por nuk arritëm
Një nga bizneset e mbyllura në sektorin e gastronomisë është ai i Emanuel Gjokajt. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Gjokaj thotë se ka qenë e pamundur të mbajë të hapur biznesin, pasi që kishte rënë qarkullimi.
Ai shton se lokali frekuentohej më së shumti nga punëtorët e organizatave të huaja që ishin me zyre afër lokalit, dhe këta punëtorë filluan të punojnë nga shtëpia, në këtë mënyrë edhe kërkesat për ushqim shënuan rënie.
“Kemi pasur një ‘Sandwich Bar’, ka qenë lokacioni i dytë që kishim hapur në shkurt të këtij viti. Por, në mars kur u përballëm me pandeminë dhe u bë mbyllja totale, ne u mbyllëm përkohësisht. Kemi filluar të punojmë pastaj në qershor, kur është bërë hapja e gastronomisë, por ishte e papërballueshme, kemi punuar me humbje dhe e kemi parë që nuk mund të vazhdojmë me atë ritëm dhe është dashur të bëhet mbyllje e përkohshme”, thotë Gjokaj.
Gjokaj thotë se mbylljen e lokalit e kishte menduar fillimisht të jetë përkohësisht, por siç thotë ai, me këtë situatë e cila po vazhdon me pandeminë, nuk ka shumë shpresë që lokali të rihapet.
Krasniqi: Numri i bizneseve të mbyllura, më shumë se 761
Por, numri i bizneseve të mbyllura po konsiderohet të jetë më i lartë nga Oda e Afarizmit të Kosovës. Skender Krasniqi, drejtor në këtë organizate, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha bizneset të cilat kanë shuar aktivitetin e tyre gjatë pandemisë, kanë filluar procedurat e mbylljes.
“Procedurat e mbylljes së biznesit janë të shumta dhe shumica e bizneseve hezitojnë të fillojnë procedurat, pasi që kërkohen shumë dokumentacione. Numri i bizneseve që sot nuk po funksionojnë janë me mijëra. Përveç kësaj ka edhe shumë biznese të cilat kanë reduktuar edhe stafin dhe janë në prag të mbylljes”, thotë Krasniqi.
Institucionet “po hezitojnë të pranojnë realitetin”.
Për të mbyllur një biznes ekzistojnë një varg procedurash administrative. Në Administratën Tatimore të Kosovës tregojnë se për të çregjistruar biznesin, fillimisht tatimpaguesit kanë të drejtë të kërkojnë të çregjistrohen vetëm pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore dhe pasi të kenë paraqitur bilancin e mbylljes.
Deri te çregjistrimi i biznesit kërkohen edhe dokumentacione
Nëse tatimpaguesi ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore, ATK do të japë një vërtetim se tatimpaguesi i ka plotësuar të gjitha kërkesat për çregjistrim.
Skender Krasniqi, drejtor në Odën e Afarizimit të Kosovës, thotë se nga vizitat në terren, te bizneset është një situatë krejt tjetër nga ajo që po thonë institucionet. Sipas tij, institucionet po hezitojnë të pranojnë realitetin që ka shkaktuar pandemia COVID-19 te bizneset.
“Nëse vazhdon edhe një valë e re e masave që ndalon aktivitetin e bizneseve dhe nuk rritet përkrahja nga shteti, ky numër i bizneseve të mbyllura dhe largimi i punëtorëve nga puna do të jetë shumë më i madh, dhe biznesi do të futet në krizë”, shton Krasniqi.
Për periudhën mars–gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, mbi një miliard euro ka pasur më pak qarkullim sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Bizneset në Kosovë janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës. Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, janë ndarë 60 milionë euro për biznese, mjete këto të cilat janë vlerësuar të pamjaftueshme.
Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha. Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë në vitin 2020.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...