Google ADS

Një vit nga rasti i parë me koronavirus në Maqedoninë e Veriut!

23:48 | 26 Shkurt 2021
Arbresh.info

U bënë një vit që nga paraqitja e rastit të parë me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut.

E infektuara e parë ishte një zonjë 50 vjeçare nga Dibra, e cila ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar për një muaj. Pasi ishte konstatuar testi pozitiv, pacientja ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup. Ndonëse kishte udhëtuar me 12 persona të tjerë me furgon, asnjë nga udhëtarët e tjerë nuk rezultoi i infektuar me koronavirus. E lajmin e bëri të ditur njeiu i pari i Shëndetësisë Venko Filipçe nëpërmjet një konference për media, i cili apelonte për qetësi.

“Erdhën rezultatet për pacienten e cila në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 3, është hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive. Pacientja është pozitive me virusin Covid 19, pra është pacientja e parë në Shkup e diagnostikuar me këtë virus. Më lejoni që të përsëris atë që po e themi vazhdimisht se nuk ka hapësirë për panik”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Por në fakt a kishte hapësirë për panik apo jo?!

Pas 365 ditësh, që nga 26 shkurti i vitit të kaluar, 3.111 persona kanë përfunduar të vdekur si pasojë e virusit SARS-COV-2.

“Nga fillimi i përhapjes së virusit deri më tani janë infektuar 101.214 persona, betejën me Covid19 e kanë fituar 90.685 persona, ndërsa 3.111 pacientë kanë ndërruar jetë nga komplikimet e shkaktuara nga ky virus. Aktualisht në vendin tonë ka 7.418 të infektuar aktivë me koronavirus”.

Ministi i Shëndetësisë Venko Filipçe, vlerëson se sistemi dhe stafi shëndetësor me sukses është përballur me armikun e padukshëm.

Filipçe thotë se aktualisht ka një rritje të lehtë të rasteve pozitive në bazë ditore. Nëse vazhdon ky trend mund të pasojnë masa shtesë kufizuese, tha ai.

“Tani jemi në një situatë ku ka rritje të lehtë të numrit të të infektuarve, rritje të R0-faktorit të transmetimit, për 0.3 sipas përllogaritjeve të fundit. Tani nuk mund të jemi të sigurt a do të jetë ky një trend dhe a do të vazhdojë edhe më tej, apo është vetëm një mini-valë, e cila po ndodh këtyre ditëve. Analiza e virusit, po tregon se 70% e numrit të plotë të diagnostikuarve janë pacientë, të cilët janë infektuar me mutacionin e quajtur “Virusi britanik”, shtoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Edhe një vit pas përhapjes së virusit korona në vendin tonë, Maqedonia e Veriut ende nuk ka arritur vaksinat e porositura për imunizimin e popullatës. Qeveria ka arritur të marrë vetëm vaksina donacion nga Serbia. Bëhet fjalë për 8.200 vaksina nga prodhuesi Pfizer me të cilat po vaksinohen punonjësit shëndetësorë. 180 mijë qytetarë kanë shprehur interes për tu vaksinuar, ata po presin vaksinat Sinopharm, të Pfizer dhe vaksinën Sputnik nga Rusia për të cilat Ministria e Shëndetësisë ka arritur marrëveshje./TV21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme